Çelik: Macron mbështet krimet e urrejtjes, jo demokracinë dhe të drejtat e njeriut

Zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Omer Çelik tha se deklarata e presidentit francez Emmanuel Macron se me projektligjin “Lufta kundër separatizmit” “do të formohet një islam i ndriçuar” është mosrespektim i ligjit dhe lirisë së besimit.

Në një postim nga llogaria e tij në Twitter, Çelik vuri theksin se deklarata në fjalë është mosrespekt dhe një provokim ndaj muslimanëve.

“Deklarata e presidentit francez Macron se ‘do të formohet një islam i ndriçuar’ me projektligjin ‘Lufta kundër separatizmit’ është mosrespektim i ligjit dhe lirisë së besimit”, nënvizoi Çelik i cili shtoi se deklarata e Macron-it lidhur me projektligjin që do të paraqesë në kabinetin e ministrave të Francës është një mentalitet shumë i errët.

“Të flasësh për krijimin e islamit në Francë është një qasje diktatoriale dhe injorancë e errët. Në objektivin e Macron-it, duhet të jenë ksenofobia (urrejta ndaj të huajve) dhe islamofobia që janë në rritje. Vendosja e islamit në objektiv në vend të kësaj është kundër vlerave më themelore dhe demokratike. Me këtë qasje Macron mbështet krimet e urrejtjes, jo demokracinë dhe të drejtat e njeriut”, tha Çelik.

Ai shtoi se pikëpamja e Macron-it do të sigurojë municion ideologjik për organizatat terroriste si DEASH. “Pikëpamja e Macron-it që reflekton një mentalitet diskriminues, tregon se nuk mund të prodhojë zgjidhje ndaj problemeve të Francës. Macron kalon në të njëjtin nivel me të djathtët ekstremë që sulmojnë vlerat e BE-së. Presidenti ynë në takimet ballë për ballë i ka shpjeguar Macron-it shumë herë mentalitetin e shtrembëruar dhe idetë e gabuara të tij lidhur me islamin. Ndërsa Macron me një fanatizëm ideologjik ka vazhduar të prodhojë material për armiqtë e islamit”, tha Çelik.

Duke vënë në dukje se shtetet demokratike nuk kanë të drejtë që përmes ligjeve të përcaktojnë besimet e segmenteve shoqërore të ndryshme, Çelik tha se sjellja e kundërt është totalitarizëm.

“I rikujtojmë se janë në kundërshtim me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”

Në vijim Çelik tha se Evropa ka paguar kosto të mëdha për të braktisur këtë qasje totalitare.

“Macron i injoron këto kosto. Ideologjija totalitare e Macron-it për të disiplinuar shoqëritë e emigrantëve nxit objektivin për të formësuar shoqërinë dhe çështjet fetare me një qasje të bazuar në siguri. Demokratët e Evropës këtë qasje e shohin si stalinizëm dhe e refuzojnë këtë. Ne jemi kundër përpjekjeve që në të ardhmen do të nënkuptojnë ndërhyrje ndaj besimit dhe lirisë. Gjithashtu ne rikujtojmë se kjo pikëpamje është në kundërshtim me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, tha ai.

Çelik tha se “Sulmet ndaj vlerave demokratike dhe lirisë së besimit nuk duhet të vijnë nga presidenca franceze. Qasjet e Macron-it janë gjithashtu padrejtësi për të gjithë shoqërinë franceze. Është një goditje ndaj arritjeve demokratike të Francës. Islami është fe universale dhe e paqes. Macron nuk mund të ketë një mision për të ‘ndriçuar‘ fenë islame, ndërkohë kryerja e një tentative të tillë të shtrembëruar nga ai është qasje totalitare. Macron duhet të kujtojë se çfarë i shpjegoi presidenti ynë për këtë çështje”.

“Ne do të ndjekim nga afër projektligjin e sjellë në rend dite nga Macron dhe lidhur me projektligjin në fjalë ne do të shprehim mendimet tona në platformat dhe qarqet përkatëse. U bëjmë thirrje të gjithë demokratëve evropianë që të qëndrojnë kundër kësaj përpjekjeje totalitare”, tha zëdhënësi Çelik./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne