Mbi gjysmë milioni qytetarë rezidentë dhe rreth 36 për qind e të gjitha objekteve janë regjistruar në dy javët e para të procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, njoftoi Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) të hënën. Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, tha në një konferencë për media në Prishtinë se procesi është duke shkuar “ashtu siç është planifikuar” dhe “pa sfida madhore”.
“Deri më tani [21 prill] janë regjistruar 530.000 persona, si dhe mbi 36 për qind e objekteve në Kosovë. Po flasim për popullsinë rezidente në Kosovë. Stafi është stabilizuar këto ditë, ka filluar intervistat në mënyrë masive”, tha ai. Kastrati theksoi, po ashtu, se ky proces është duke u zhvilluar në të gjithë terrorin e Kosovës, dhe me të gjitha komunitetet, pavarësisht paralajmërimeve për bojkotimin e procesit nga komuniteti serb.
Sipas Kastratit, deri më tani katër apo pesë ekonomi familjare kanë refuzuar të regjistrohen. “Jemi duke vazhduar me procedurat ligjore, dhe të gjithë ata që refuzojnë, do të përcillen sipas ligjeve në fuqi”, theksoi ai. Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi. Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.
Regjistrimi popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë ka nisur nga data 5 prill dhe do të vazhdojë deri më 17 maj. Regjistrimi i ri i popullsisë ishte menduar të mbahej në vitin 2021, por ai u shty për shkak të pandemisë së virusit korona. Ndërsa, vitin e kaluar është shtyrë edhe dy herë të tjera./Rel