Bota

Ceremonia e betimit të Muhamed Bin Selman, trashëgimtar i fronit në Arabinë Saudite

Në pallatin mbretëror në Mekë, organizohet ceremonia e betimit dhe e dhënies së besës për Muhamed Bin Selman, zëvendësi i mbretit të Arabisë Saudite.

Të birin, në vend të nipit. Mbreti i Arabisë Saudite caktoi Princ kurore djalin e vet të preferuar, Muhamed Bin Selman, duke zëvendësuar njeriun që ishte deri tani i pari në radhë për marrjen e fronit, Muhamed bin Najev. Dekreti i monarkut do të thotë se, 31-vjeçari Muhamed Bin Selman do të bëhet zëvendës, duke e ruajtur njëkohësisht edhe postin e ministrit të Mbrojtjes. 57-vjeçari bin Najev është shkarkuar sakaq nga detyra e shefit të Sigurisë së Brendshme. Pavarësisht këtyre lëvizjeve, ai i ka premtuar besnikëri Princit të ri të kurorës. Mbreti 81-vjeçar Selman u ngjit në fron janarin e vitit 2015, pas vdekjes së vëllait të tij nga babai, Abdullah bin Abdul Aziz. Lëvizjet e para në kabinet, ai i njoftoi vetëm pak muaj pas marrjes së frerëve të vendit, e ishte ai vet që e caktoi bin Najev si Princ të kurorës, ndërsa të birin si zëvendësin e kushëririt. Kjo u konsiderua asokohe një thyerje e traditës, sepse Arabia Saudite ishte sunduar gjithmonë nga monarkë të moshave të thyera, 70 apo 80 vjeç. Promovimi i Princit Muhamed Bin Selman dhe ngjitja e tij e shpejtë në pushtet, shihet nga gjenerata e re e vendit si shenjë e faktit që gjërat po ndryshojnë. Si ministër i Mbrojtjes dhe zëvendësprinci i kurorës, ai ka drejtuar luftën e Arabisë Saudite në Jemen, e ka mbikëqyrur politikat energjetike të Mbretërisë, ndërsa Mohammed bin Najev ka qenë shef sigurie për shumë vite me radhë./ PT

OPINIONE