Shqiperia

Ceremonia përkujtimore e ushtarëve serbo-malazez përplas njësisë të Antiterrorit me policinë e Shkodrës dhe prokurorinë

Një tjetër përplasje e fortë ka ndodhur mes njësisë të Antiterrorit në policinë vendore të Shkodrës dhe prokurorisë së Shkodrës. Në gjykatën e shkallës së parë u zhvillua një seancë për t’u rihapur ose jo hetimet për çështjen e ceremonisë përkujtimore të ushtarëve serbo-malazez të vrarë në 1912-1913 dhe vendosjen e kryqit serb në fshatin Gajtan të njësisë Gur i Zi në bashkinë Shkodër.

Në tetorin e vitit të kaluar në fshatin Gajtan përfaqësues të shoqatës Moraça-Rozafa, shoqatës fetare Shën Jovan Vladimiri dhe Këshilli Kombëtar serb në Malin e Zi vendosën kryqin serbo malazez si një memorial në nderim të ushtarëve malazez të vrarë në Shkodër gjatë luftës. Pas pak muajsh kjo çështje që kaloi fillimisht në heshtje u bë publike përmes mediave. Menjëherë njësia Antiterrorit në policinë e Shkodrës bëri një kallëzim penal për nxitje të të urrejtjes etnike.

Prokuroria nga ana e saj pa u zgjatur shumë në hetime e pushoi këtë çështje. Pushimi i çështjes bëri që antiterrori të mos e lërë me kaq dhe t’i drejtohet gjykatës së shkallës së parë në Shkodër duke kërkuar që prokuroria të rihap hetimet. Një ditë më parë ishte seanca e dytë ku përballë gjyqtares Izabela Radovani ishin antiterrori dhe prokurori Ermir Lelçaj.

Ky i fundit ka mohuar kategorisht se çështja përkujtimore e ushtarëve serbo-malazez që pushtuan Shkodrën 106 vite më parë të rihapet përsëri. Sipas prokurorit Lelçaj nuk ka prova të mjaftueshme për veprën penale të nxitjes së urrejtjes etnike dhe se policia si institucion shtetëror sipas organit të akuzës nuk mund të jetë kallëzuesi por duhet të jetë ndonjë individ. Specialistët e antiterrorit kanë hedhur poshtë këto pretendime dhe nuk janë pajtuar me këtë qëndrim duke i treguar prokurorit të gjitha fotografitë e asaj ceremonie apo edhe kronika dhe artikuj të mediave dhe duke i thënë se policia mundet të jetë në rolin e kallëzuesit.

Sipas burimeve në këtë seancë ka patur edhe debate të forta dhe qëndrime diametralisht të kundërta për këtë çështje me rëndësi të madhe kombëtare. Sipas burimeve nga ana saj bashkia Shkodër shkresës se a është ndërtim pa leje kryqi serbo-malazez në fshatin Gajtan i është përgjigjur se nuk ka dijeni, çka nënkupton se ai memorial është ndërtuar pa lejen e institucioneve vendore. Tashmë do të ketë edhe seanca të tjera për të pritur nëse gjykata e shkallës së parë në Shkodër do të rihap apo jo hetimet për këtë çështje.

OPINIONE