Çfarë duhet të ndodhë më shumë që të dorëhiqet ministri i Brendshëm?

Policia rreh dhe masakron disa qytetarë të cilët kanë ndërtuar, minimumi me tolerancën e shtetit në troje publike apo private. Por këto prona nuk janë legalizuar sepse kalon rruga, qytetarët protestojnë sepse nuk kanë asgjë tjetër veç atyre copave të blloqeve të betonit dhe shpirtit të tyre.

Protesta është formë demokratike por pas rezistencës vjen kërbaci nga policia, e cila në një akt të paprecedent ka izoluar mediat, a thua se jemi në Iranin e Ajatollahëve.

Vrasje mafjoze pak ditë më parë në Shkodër, në Tiranë, por policia dhe ministri ynë ushtarak tregon statistikat krahasuese.

Sot qershia mbi tortë ishte grabitja në Rinas. Për herë të dytë brenda perimetrit të sigurisë, bie survejimi dhe siguria e Rinasit, për herë të dytë në derën e avionit grabiten miliona euro të të njëjtës bankë “Raiffaisen”. Për herë të dytë e njëjta kompani private dështon, për herë të dytë një ministër i Brendshëm ngelet me gisht në gojë.

Përtej çdo aksioni të policisë së shtetit dhe shpresës për kapjen apo ekzekutimin e autorëve Aeroporti i Rinasit ka rënë dëshmor për herë të dytë.

Minimalja që do ndodhte kudo në Europë, do të ishte dorëheqja e ministrit të Brendshëm, si dështim total personal i tij për sigurinë kombëtare.

Sot grabitën disa hajdutë e kriminelë para, nesër terroristë mund të grabisin avione me pasagjerë.

Siguria kombëtare sot sërish ra nën këmbët e krimit dhe ministri ynë i brendshëm u gjunjëzua përpara tyre.

Qytetarët u rahën e gjakosën, pse protestojnë për disa mure të ftohta me blloqe betoni, e ministri Lleshi tregon dhëmbët me policinë e tij.

Krimi e tërheq zvarrë, grabit brenda perimetrit të të vetmit aeroport ndërkombëtar në Shqipëri, krimi rrëzon sigurinë kombëtare ditën kur në të fluturon një zv/sekretar shteti i SHBA-ve.

Sandër Lleshaj sot duhet të japë dorëheqje, çfarë duhet të ndodhë më shumë se ngjarjet e ditës së sotme, apo duhet të hyjnë të grabisin ministrin në zyrë? /CNA.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne