Bota

Ruhani akuzon Amerikën për terrorizëm dhe për strehim të liderëve të DAESH-it

Presidenti i Iranit, Hasan Ruhani tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përdorin terrorizmin si një mjet në Lindjen e Mesme dhe sigurojnë mundësinë e strehimit të liderëve të organizatës terroriste DAESH.

Këto deklarata Ruhani i bëri gjatë fjalimit që mbajti në ceremoninë e zhvilluar në Teheran me rastin e Ditës Kombëtare të Teknologjisë Bërthamore.

Ai e cilësoi të gabuar përfshirjen e Ushtrisë së Gardës Revolucionare të Iranit në listën e organizatës terroriste nga ana e udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shtoi: “Fuqitë arrogante botërore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mundohen të kompensojnë dështimin dhe mllefin ndaj Iranit duke e cilësuar ushtrinë e Gardës Revolucionare si terroriste. Ky gabim do ta forcojë edhe më shumë këtë ushtri. Ndërkohë që Amerika i përdor terroristët si mjet në rajon dhe siguron strehim për liderët e organizatës terroriste DAESH, kjo ushtri lufton kundër terroristëve në Irak dhe Siri”.

Duke iu referuar rrëzimit të avionit të pasagjerëve të Iranit në vitin 1988 nga ana e forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ruhani tha: “Ju kryesoni terrorizmin global. Cilat fuqi e rrëzuan avionin iranian të pasagjerëve mbi Gjirin Persik? Duke mbështetur grupet terroriste dhe duke u dhënë atyre eksploziv për të përgjakur popullin dhe autoritetet iraniane ata kërkojnë ta kthejnë Iranin në periudhën e vjetër”.

Në lidhje me marrëveshjen bërthamore, nga e cila Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tërhoqën në mënyrë njëanëse, Presidenti iranian bëri të ditur se nëse edhe vendet e tjera, që e kanë nënshkruar marrëveshjen, nuk përmbushin obligimet e tyre, atëherë Irani mund të tërhiqet nga marrëveshja.

“Jemi duke bërë durim por edhe durimi ka një kufi. Durimi nuk është për nga dobësia, por është për sigurinë dhe të ardhmen e rajonit. Irani mund të hedhë një hap tjetër në këtë çështje. Nëse na detyroni ne fillojmë prodhimin seri të centrifugave IR8 me teknologji të lartë” tha Presidenti i Iranit, Hasan Ruhani./ trt

OPINIONE