Çfarë ndodhi brenda në pallatin e kongreseve

Pse Basha iku para kohe? Cilat qenë dy lëshimet e mëdha të Ramës?

Të gjithë e panë me çudi daljen e Lulzim Bashës nga Pallati i Kongreseve diçka më shumë se gjysmë ore pasi ai kishte hyrë aty. Ashtu sikurse njoftoi Lapsi.al kjo dalje qe shenja e sigurt se nuk ishte arritur asnjë marrëveshje. Por një burim i Lapsi brenda godinës ka arritur të marrë vesh më shumë se çfarë ndodhi aty.

Pasi e kanë takuar në selinë e PD negociatorët europianë i kanë ofruar Bashës një paketë maksimale. Së pari një qeveri Rama me shumë ministra teknikë. Pra një zgjidhje kompromisi mes asaj që kërkon PD dhe asaj që mbron PS. Një formulë që i shkon më pranë idesë të qeverisë së besimit që ka propozuar LSI.

Oferta e dytë e madhe për Bashën ka qenë shtyrja e zgjedhjeve deri në datën 16 korrik. Me këto dy atu në xhep negociatorët europianë kanë insistuar ta ulin Bashën një tryezë dialogu tresh. Ata i kanë thënë shefit të PD-së se këto lëshime i kishin të rakorduar edhe me dyshen Rama – Meta.

Por qëndrimi i Bashës ka qenë i prerë.Një qeveri me Ramën kryeministër nuk jep garanci për zgjedhje të lira. E dyta nëse data shtyhet për 16 korrik, ajo është një periudhë e pamjaftueshme për të rregulluar ndonjë gjë nga të gjitha defektet që ka vërejtur opozita.

Megjithëse lëshime të tilla Basha as nuk i imagjinonte përpara 18 shkurtit ai i ka refuzuar ato. Ky refuzim e vë atë në pozitë më të vështirë, sepse ky qëndrim e zhvesh edhe Ilir Metën nga premtimi se ai nuk hyn në zgjedhje pa opozitën. Kushtet e shtyrjes së zgjedhjeve dhe të qeverisë së besimit që propagandonte Meta, pas këtij propozimi mund të quhen të plotësuara.

Megjithatë Basha ka thënë “JO”. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte ai nuk ka pranuar që me kaq lëshime të ulet në një tryezë bisedimesh.

. (Lapsi.al)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne