Bota

CIA vihet në lëvizje: Gina Haspel pritet të udhëtojë në Turqi për vrasjen e Khashoggit

Drejtoresha e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gina Haspel, do të mbërrijë për një vizitë zyrtare në Turqi ku pritet të bisedojë me zyrtarët turq lidhur me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në konsullatën saudite në Stamboll, raporton Anadolu Agency.

Vizita e drejtoreshës së CIA-s është konfirmuar mbrëmë nga më shumë burime, të cilat thanë se Haspel udhëton për në Turqi, që lidhet me deklaratën e mëparshme të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili tha se SHBA-të po dërgojnë në Turqi dhe në Arabinë Saudite një numër të madh të zyrtarëve të inteligjencës për të mbledhur informacion mbi vrasjen e Khashoggit.

“Për momentin, kam një grup të shkëlqyer njerëzish në Turqi dhe Arabinë Saudite. Së shpejti do të dimë gjithçka”, tha Trump.

Selia e CIA-s nuk donte të konfirmojë për AA informacionin se Haspel udhëton për në Turqi.

Lajmi për vizitën e saj është publikuar sot, për kur pritet që presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, të mbaj një fjalim në Parlament në të cilin do të flasë për rastin dhe do të publikojë rezultatet e hetimit aktual për vrasjen e Khashoggit.

Gazetari dhe kolumnist në prestigjiozen amerikane “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, u zhduk më 2 tetor, pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.

Pas disa ditëve të mohimit se nuk dinë asgjë për fatin e Khashoggit, Arabia Saudite të shtunën pohoi se Khashoggi u vra gjatë një zënke brenda konsullatës.

Sipas burimeve të policisë turke, në ditën e zhdukjes së Khashoggit, 15 shtetas sauditë, përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me dy avionë dhe vizituan konsullatën ndërkohë që Khashoggi ende ishte brenda. Të gjithë individët e identifikuar kanë lëshuar Turqinë.

Një ekip i përbashkët turko-saudit të enjten përfundoi një hetim mbi rastin, pasi kreu hetime në rezidencën e konsullit të përgjithshëm si dhe në Konsullatën Saudite në Stamboll.

OPINIONE