Keni vizituar Beratin, por këtu s’keni qenë? Ja destinacioni i radhës

Nga Irena Sedja

Nëse ke zgjedhur të vizitosh një vend për të parë të shkuarën me sytë e të tashmes, dhe për të shkelur tokat, dikur të përgjakshme e sot me vlera historike, vendi ideal do të ishte një vizitë 120 km larg Tiranës, pikërisht në qytetin e Beratit, aty ku për të kaluarën flasin vetë ndërtesat, arkitektura e tyre dhe aroma mesjetare, karakteristike e qytetit. Ndryshe nga kryeqyteti që po “lundron” në modernizim, Berati është një nga ato qytete, i cili të fanit të shkuarën përpara sysh vetëm duke shëtitur në qytet pa qenë nevoja të shfletosh libra të tërë historie.

E nëse ka një gjë që nuk mund t’i shmangesh gjatë vizitës tënde, dhe ajo që për më tepër i bën krenarë të gjithë banorët e zonës, është kalaja e Beratit, të cilën për ta vizituar nuk mjaftojne disa orë. Vetë kalaja është rrëfimtare  e historisë shumëshekullore që ka mbijetuar sot e kësaj dite në trajtën më të bukur. Nuk ndodh ndonjëherë që të vizitosh kalanë e të mos e gjesh të dyndur nga turma turistësh mjaft kureshtar për të zbuluar më shumë nga ky oaz historik.

Që nga statuja e Kostandinit e deri tek punimet me dorë që shiten në anës mureve, kalaja  e qytetit të ‘Një mbi Një Dritareve’ është një labirinth ku për cdo hark apo cep të lindin pikëpyetje që për të cilat një ciceron apo vendas mund të të ndihmojë mirë me përgjigjet.

Kështu edhe mua, kur teksa po shkrepja foto për të përjetësuar kujtimet e asaj dite, më bëri përshtypje prania e një xhamie brenda mureve rrethuese të kalasë. Me tulla të kuqe, jo më kot kjo xhami ishte emërtuar edhe si ‘Xhamia e Kuqe’.

Qyteti i Beratit numëron një shifër jo të pakët xhamish.

Po në fakt çfarë është ajo që e shquan Xhaminë e Kuqe ndër të tjerat?

Përveç vendodhjes së saj në një nga monumentet më të bukura dhe të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, Xhamia  e Kuqe konsiderohet të jetë xhamia  e parë në Shqipëri. Bazuar në arkitekturën e saj ajo mund të jetë ndërtuar rreth shekullit të 14-të.

Kjo xhami me trashëgimi fetare, historike dhe kulturore mbart vlera të mëdha e si rrjedhojë qysh prej vitit 1961 ka marrë statusit e monumentit kulturor. Eshtë ndër më të vjetrat në qytetin e Beratit.

Muret rrethuese të saj janë krejt të rrënuara dhe ajo çfarë ka mbetur është minarja. Kjo e fundit ka një veti mjaft të veçantë krahasuar me të tjerat që ndeshim hera herës. Forma cilindrike e trupit të minaresë dallon nga format e minareve të zakonshme me faqe.

Është interesante se si qysh sot e kësaj dite xhamitë dhe kishat kanë bashkëjetuar në një kala, një dëshmi kjo e tolerancës fetare dhe e harmonisë ndër shekuj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne