Bota Opinion

Cilat janë mundësitë e suksesit të marrëveshjes ruso-iraniano-turke për krijimin e “zonave të reduktimit të tensionit”?

Pse iu shmangën termit “zona të sigurta”, i cili është më i saktë? A do të luftojë opozita e armatosur në krah të ushtrisë siriane kundër “ISIS”-it dhe “Al-Nusra”-s? Përse Al-Xhafari e mirëpriti dhe Aloushi u tërhoq?

Abdul-Bari Atuan

Marrëveshja e nënshkruar nga përfaqësuesit e Rusisë, Iranit dhe Turqisë në qytetin Astana sot, e cila dikton krijimin e disa zonave të “reduktimit të tensionit” në Siri në zbatim të planit të paraqitur nga presidenti Vladimir Putin pas takimit me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe marrjes së një telefonate nga presidenti amerikan Donald Trump, mund të përbëjë një “hartë rruge” reale dhe efektive – nëse do të ndiqet dhe do të zbatohet fjalë për fjalë – për të eliminuar organizatat “ISIS”, “Hay’at Tahrir al-Sham” dhe “Al-Nusra”, si dhe për të instaluar armëpushimin dhe rivënien në jetë të Konventës së Gjenevës për arritjen e një zgjidhjeje politike. Por ekzistojnë dyshime që na ndalojnë të zhytemi në optimizëm, nëse shohim ç’ka ndodhur me marrëveshje të ngjashme.

Tre shtetet garantuese të marrëveshjes janë Rusia, Irani dhe Turqia, të cilat kanë në dorë vendimmarrjen mbi territorin sirian, për shkak se ato i janë futur një lufte të autorizuar mes tyre. Rusia dhe Irani mbështesin qeverinë siriane, ndërsa Turqia mbështet fraksionet e armatosura të klasifikuara si “të moderuara”.

Kjo marrëveshje është një zbatim praktik për krijimin e “zonave të sigurta” në katër rajone të Sirisë: në Idlib, në zonën rurale të Damaskut, në Daraa dhe në rajonin Rastan në Homs. Por për shkak se termi “zona të sigurta” nxit ndjeshmërinë e disa prej palëve siriane – veçanërisht të qeverisë në Damask dhe të aleatëve të saj iranianë -, kjo shprehje iu nënshtrua një procesi devijimi gjuhësor dhe u zëvendësua me frazën “zona të reduktimit të tensionit”, porse kuptimi është i njëjtë dhe dallimet janë të vogla, sipas opinionit të shumë analistëve.

***

Sipas mendimit tonë, pika më e rëndësishme në këtë dokument është teksti i fjalëpërfjalshëm “tre shtetet garantues të kësaj marrëveshjeje kanë për detyrë të ndihmojnë forcat e qeverisë siriane dhe opozitën e armatosur të luftojnë organizatat ISIS, Al-Nusra dhe ata që i ndjekin, si dhe të formojnë një grupi pune për të krijuar zonat e sigurta brenda pesë ditëve.”

Ky paragraf do të thotë që fraksionet e armatosura “të moderuara” të cilat marrin pjesë në mbledhjet e Astanas të luftojnë kundër organizatave “ISIS” dhe “Hay’at Tahrir al-Sham” krah për krah me ushtrinë siriane, dhe kjo, me mbështetjen e Iranit, Rusisë dhe Turqisë. Kjo është një kthesë e madhe – dhe e paprecedent – politike e ushtarake në krizën siriane.

“Xhejsh al-Islam” që kryesohet nga z. Mohamed Aloush filloi zbatimin e këtij paragrafi para se të shkojë në Astana, kur ndërmorën beteja të përgjakshme kundër “Frontit al-Nusra” në Gutan lindore gjatë ditëve të fundit. Ato ishin përleshje të përgjakshme që çuan në vrasjen e rreth 400 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve nga të dyja palët, madje ende janë në vazhdim e sipër dhe kanë dështuar të gjitha ndërmjetësimet për t’i ndaluar ato.

Dr. Bashar al-Xhafari, kreu i delegacionit negociator sirian, nxitoi menjëherë ta bekojë këtë marrëveshje. Por delegacioni i opozitës së armatosur dhe kryetari i saj z. Aloush, mungoi në ceremoninë e nënshkrimit dhe u tërhoq i zemëruar nga sesioni i mbylljes, në shenjë proteste ndaj pranisë së Iranit midis shteteve garantuese dhe nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e tij, si dhe ndaj pjesëmarrjes së tij në forcat që do të monitorojnë zbatimin në terren. Por ka edhe arsye të tjera shtesë dhe të rëndësishme. Ato janë: luftimi në të njëjtën llogore me ushtrinë siriane, apo krah për krah me të kundër “Frontit al-Nusra” i cili më parë ishte aleat me shumë prej këtyre fraksioneve, si dhe mungesa e një procesi politik paralel që garanton zbatimin e transferimit politik të pushtetit.

Kjo nuk është hera e parë që delegacionet e opozitës së armatosur tërhiqen dhe nuk besojmë se do të jetë e fundit. Ato u vonuan shumë dje për të marrë pjesë në takimin “Astana 4”, por ndërhyrja e gjeneralit Hakan Fidan, kreut të Inteligjencës Turke, ishte e mjaftueshme për t’i kthyer në sallën e konferencave dhe për të marrë pjesë në negociata.

***

Marrëveshja nuk është e përsosur. Ne biem dakord me presidentin Rexhep Taip Erdogan – i cili vënë detajet e saj gjatë takimit të tij me presidentin Putin në Soçi të Rusisë – se ajo mund të arrijë më shumë se 50 % të zgjidhjes së krizës siriane në qoftë se do ketë fatin të zbatohet me sukses dhe nëse të gjitha palët do t’u përmbahen kushteve të saj, pasi ajo do të sigurojë kthimin e sigurt dhe vullnetar të dhjetëra, ndoshta edhe qindra mijëra refugjatëve sirianë, ofrimin e menjëhershëm të furnizimeve humanitare dhe ndihmave mjekësore, – dhe më e rëndësishmja nga të gjitha – një armëpushim të menjëhershëm dhe ndalimin e gjakderdhjes, si dhe përmirësimin e kushteve humanitare për miliona sirianë në të katër zonat.

Mundësitë e suksesit të marrëveshjes janë të arsyeshme, sepse opsionet alternative janë katastrofike. Populli sirian është në kërkim të ndalimit të gjakderdhjes dhe të frymëmarrjes lirisht pas gjashtë viteve vrasjesh dhe shkatërrimesh. Por, në të njëjtën kohë, mund të thuhet se edhe mundësitë e “sabotimit” janë të mundshme. Ka shumë forca që janë margjinalizuar dhe nuk u është dhënë ndonjë rol në këtë marrëveshje, të cilat mund të përpiqen nëpërmjet njerëzve të tyre dhe parave të tyre “të çajnë fundin e anijes”, rol të cilin e ushtruar njëjtë në marrëveshjet e mëparshme… Zoti e di më mirë.

⃰ Opinion i kreut të redaksisë së gazetës elektronike “Ra’jul Jeum”, i datës 4 maj 2017./ PT

OPINIONE