Çka është shteti dhe a është Kosova shtet sovran dhe i pavarur!

Nëse shikojmë në leksikonët profesional që sjellin përkufizime edhe mbi shtetin, do të shohim se, me gjithë dallimet në formën si e përkufizojnë atë, në përmbajtje janë pothuaj të njëjtë. Dallojnë (vetëm) për nga këndvështrimi dhe koha, pra, për nga ideologjia e autorëve si i shohin transformimet shoqërore, dhe për nga rrethanat historiko-shoqërore kur janë zhvilluar ato. E unë, si zakonisht që bëjë, edhe përgjatë përpilimit të këtij teksti, kam konsultuar leksikonë të numërt, nga të cilët i veçoj dy sosh; Fjalori Filozofik i Ekrem Murtezait, dhe Enciklopedija Politicke Kulture e Milan Matiqit.

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

Kështu, sipas të parit, “shteti” (gr. polic, politesa; lat. Civitas, res publica; gjerm. Staat; fr. etat; ang. state; turq. devlet; ar. devle), është bashkësi shoqërore e cila cilësohet me ekzistimin e një territori, sistemi juridik dhe të pushtetit të nevojshëm për sigurimin e respektimit të dispozitave ligjore; e formuar historikisht brendapërbrenda një territori unik, raportet njerëzore dhe organet publike të të cilës janë te rregulluara në mënyrë juridike, dmth, me anë të ligjeve dhe dispozitave tjera të shkruara.

Enciklopedija Politicke Kulture, lexojmë se shteti (drzhava) është forma më e rëndësishme e organizmit shoqëror. Si i tillë, shteti konsiderohet përcaktori dhe rregullatori kryesor i zhvillimit të gjithëmbarshëm të një shoqërie. Historikisht, thotë Milan Matiq, vetëm shoqëritë me struktura shtetërore të zhvilluara mirë, kanë mund të emancipohen në mënyra të dëshiruara.

Së këndejmi, shteti si nocion dhe si strukturë organizative e shoqërisë që është, pasqyron shprehjen e nevojës për një pushtet të organizuar, i pajisur me mjetet e duhura e të afta për ta drejtuar shoqërinë, nëpërmjet normave juridike. Në planin juridik, shteti mund të konsiderohet si tërësia e pushteteve të autoritetit dhe detyrimeve kolektive që kombi ka mbi qytetarët, në mënyrë që të ruhet interesi i përgjithshëm, dhe me një nuancë etike, pasuria publike ose pasuria e përbashkët.

Termi “Shtet” zakonisht përdoret edhe në kuptimin e një organizate politike në shoqëri, edhe në kuptimin politiko-gjeografik. Si organizatë e organizmit politik, shteti dallon prej organizatave tjera që veprojnë në të njëjtin territor. Shteti është autonom, është i centralizuar, pjesët përbërëse të tij duhet të jenë formalisht të koordinuara njëra me tjetrën, dhe më kryesorja, ka karakterin e vet politik. Edhe partitë e ndryshme janë organizata politike, por, ama, ato nuk mund të identifikohen me shtetin dhe nuk mund të marrin funksionet e tij. Partia përfaqëson një pjesë të grupit shoqëror, kurse shteti përfaqëson zyrtarisht gjithë shoqërinë.

Nga ana tjetër, në kuptimin politiko-gjeografik shteti përkufizohet me territor, ka popullsinë e vet dhe pushtetin publik që vepron në atë territor dhe mbi popullsinë brenda kufijve të vet. Nga ky këndvështrim, shteti është sinonim i “vendit”, ndërsa popullsia dhe territori janë premisa të ekzistencës së tij. Pa territor, pa popullsi dhe pa sistem të caktuar politik, nuk mund të ketë shtet. E ajo që e bënë një shtet të dallueshëm prej një shteti tjetër, të pavarur prej tij, është pikërisht sovraniteti i shtetit, Sovraniteti, pra, është elementi bazë i një shteti të pavarur.

Në rrafshin politik, sovraniteti është e drejta absolute e ushtrimit të një autoriteti (legjislativ, juridik, ekzekutiv) në një rajon, në një vend apo mbi një popull. Në planin sociologjik, shteti është një tërësi personash që jetojnë në një territor të caktuar dhe që i nënshtrohen një qeverisje të dhënë. Në planin organizativ, shteti është një formë organizimit që shoqëria përdor për të qenë e orientuar dhe e administruar. (Enciklopedia Politicke Kulture, faqe 1028).

Jean Badin (1530-1596) shkruan se “Sovraniteti është fuqia absolute dhe e përhershme e një republike“ (Gjashtë librat e Republikës). Sipas tij, asnjë pushtet nuk është më superior se pushteti sovran, që nuk mund të zhduket, por edhe nuk është i pakufizuar (ushtrohet mbi domenin publik, jo privat).

Shtetet si shtete sovrane kanë sisteme të ndryshme. Ndër shtetet sovrane është edhe shteti demokratik. Shtet demokratik quhet ai shtet i cili qeveriset prej përfaqësuesve të popullit, ku pushteti ushtrohet në emër të këtij të fundit. Ushtrimi i pushtetit në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë rast i dëmtimit të demokracisë. Dhe, për tu ruajtur nga rreziku i arbitraritetit, regjimet demokratike duhet të reflektojnë 1) shtetin e së drejtës dhe, 2) ndarjen e pushteteve brenda shtetit. Pra, shtet i së drejtës është shteti ku ligjet e tij janë në përputhje me parimet kushtetuese, aty ku pushteti nuk duhet të jetë i përqendruar në duart e një autoriteti të vetëm. Gjithsesi, duhet të jetë i shtrirë mbi tri funksionet kryesore të pushtetit: ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor.

Për dallim nga pikëpamja islame mbi shoqërinë dhe sovranitetin e shtetit, e cila thotë se normat përcaktohen nga ‘Lartë’ por që mund të rregullohen edhe nga ‘Poshtë’, thjeshtë, se ato mund të modifikohen sipas nevojave historike dhe gjeografike të shoqërive, por kurrë të pësojnë ndryshime në esenc, nga ana tjetër, Jean-Jacques Rousseau, mendon se populli është mbajtësi dhe përpiluesi legjitim i sovranitetit. Sipas tij, edhe pse populli është burimi i normave ligjore të një shoqërie, sovraniteti i një shteti të caktuar mund të mbahet dhe ushtrohet nga; Perëndia apo priftërinjtë (teokraci), nga një person i vetëm (monarki), nga një grup njerëzish (oligarki), nga kombi (demokracia përfaqësuese), dhe nga populli (demokracia e drejtpërdrejtë). Shteti si organizëm shoqëroro-politik, cakton gjithashtu njerëzit dhe personat që punojnë të imponojnë rendin e caktuar në atë shtet.

Gjithsesi, përderisa po flasim për shtetin dhe sovranitetin e tij, shtojmë se Kushtetuta e shtetit është ajo që përcakton si të ushtrohet sovraniteti, cilat janë institucionet që kanë fuqi dhe se si ato duhet të kontrollohen.

Aspekti i jashtëm i sovranitetit është pavarësia. Shteti sovran është sinonim i shtetit të pavarur. Megjithatë, sovraniteti mund të kuptohet nga dy këndvështrime; nga ai juridik dhe tjetri, politik. Përmes sovranitetit juridik, shteti “mund të hyjë në marrëdhënie me shtete tjera apo organizata ndërkombëtare përmes njohjes dhe respektimit të traktateve ndërkombëtare dhe aleancave apo detyrimeve diplomatike”. Sovraniteti politik i referohet fuqisë së shtetit për të imponuar çdo gjë që atij i duket e nevojshme. Megjithëse shtetet kanë sovranitetin juridik, sovraniteti politik shpesh varet nga opinioni i shteteve të tjerë në termat e zhvillimit të tyre social, politik dhe ekonomik.

Kështu, në kohën kur globalizmi ka marrë dhenë, dhe proceset e integrimeve evropiane janë bërë modë dhe nevojë për shtete të ndryshme në truallin e Evropës,  sovraniteti i kufizuar është bërë tashmë një realitet.

Nga ushtrimi i sovranitetit rrjedh dhe e drejta e shtetit për të mbrojtur qytetarët e tij të cilët ndodhen në territorin e një shteti tjetër.

Shtetet më nuk janë sovrane në kuptimin e sovranitetit të deritanishëm. Me gjithë këtë, ka shtete të cilat edhe me tutje dhe me tërë forcën që disponojnë ruajnë sovranitetin e tyre në të gjitha segmentet e mundshme.

E për të kuptuar faktin “e hidhur” se (s)a është Kosova shtet sovran, i pavarur, kushtetues dhe i konsoliduar, mjafton të kemi kuptuar atë që shkruam në rreshtat e mësipërm, dhe, natyrisht, pasi t’i keni lexuar rreshtat në vijim:

Kosova sot është projekt gjysmak që nuk përkon fare me aspiratën shekullore të shqiptarëve, me një plan gjithëpërfshirës që na e ka shkruar një i huaj me emrin Martin Ahtisari, dhe, siç thotë Milazim Krasniqi, me mbikëqyrje civile dhe ushtarake të paafatizuar, me decentralizim të imponuar, me statusin shtet në shtet për Kishën Ortodokse Serbe, me Gjykatën Speciale mbi kokë, me izolim total nga Evropa, me presione absurde nga SHBA-të, me kërcënim permanent nga Rusia, me ndërhyrje brutale nga Serbia, dhe me abuzim të pashpirt të një establishmenti vendas, shumë të pafytyrë.

Dhe, me shumë të liga të tjera që i’a hodhëm mbi kokë Kosovës, por, gjithënjë me shumë shpresa të mëdha se do të bëhet më mirë…!/ kosovapost

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne