COVID-19 bëhet mjet i grindjeve politike dhe fetare në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut, ku u shënua sukses në luftën kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në fillim kur u shfaqën rastet e para me virusin, në periudhën e fundit COVID-19 u shndërrua në grindje politike dhe fetare në vend.

Maqedoni e Veriut, sërish mbi 100 raste të reja me COVID-19, humbin jetën 7 persona

Përderisa COVID-19 nuk ishte shfaqur në Gadishullin Ballkanik, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në janar dha dorëheqje nga detyra e tij, si parakusht për qeverinë teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që planifikoheshin më 12 prill. Në vend të tij në detyrën e kryeministrit teknik u emërua, Oliver Spasovski, nga e njëjta parti, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) që ushtronte postin e ministrit të Brendshëm.

Sipas ligjeve ishte ndryshuar kabineti qeveritar, përfshirë edhe ministrin e Brendshëm. Në këtë drejtim ministër i Brendshëm ishte emëruar Naqe Çulev nga partia opozitare VMRO-DPMNE.

Maqedonia e Veriut, rastin e parë me COVID-19 e konfirmoi më 26 shkurt, ndërsa në mes të muajit mars vendosi që zgjedhjet e parakohshme që planifikoheshin për 12 prill të shtyhen. Të njëjtin muaj presidenti Stevo Pendarovski, me arsye për luftë më efektive kundër COVID-19 solli vendim për gjendje të jashtëzakonshme 30-ditore.

Gjendja e jashtëzakonshme, sipas kushtetutës së vendit, mund të zgjatej vetëm nga Kuvendi, por Kuvendi i shpërbërë për shkak të zgjedhjeve të parakohshme e kishte të pamundur këtë, me ç’rast çdo zgjatje e gjendjes së jashtëzakonshme do duhej të shpallet si një gjendje e jashtëzakonshme e re. Kështu, Pendarovski, nga 18 marsi shpalli nga dy herë nga 30 ditë dhe dy herë nga 14 ditë gjendje të jashtëzakonshme.

Në periudhën e njëjtë, me kohëzgjatje të ndryshme, në mbarë vendin u zbatua orë policore prej rreth 2 muaj e gjysëm, ndërsa “vala e dytë” për të cilën flitej se e ka goditur vendin kishte mundësuar që të flitet për rikthimin e orës policore.

Ora policore në festat e ortodoksëve dhe muslimanëve

Gjatë datave 17-21 prill, kur përkonte edhe festa e Pashkëve të ortodoksëve, u zbatua orë policore në kuadër të masave kundër COVID-19. Në atë kohë, kur muslimanët ishin në muajin e Ramazanit flitej për nevojën e një orë policore gjatë festës së Fitër Bajramit.

Më 7 maj, përkundër gjendjes së jashtëzakonshme dhe masave qeveritare me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, qindra besimtarë ortodoks morën pjesë në një ceremoni fetare në qytetin e Strugës. Nga kjo, përgjegjës ishte mbajtur policia, gjë që shkaktoi grindje politike më pas.

Më pas, edhe Bashkësia Fetare Islame (BFI) njoftoi se nga e martja e ardhshme, 12 maj, xhamitë në mbarë territorin e vendit të jenë në “shërbim të xhematit për të kryer obligimet fetare kolektive”, pas një pezullimi pothuajse dymujor të faljes së namazit nëpër xhami. Kështu edhe grindja fetare hyri në lojë.

Pas vendimit se namazi i Bajramit do të falet, institucioni pëfaqësues i muslimanëve pretendoi se imamët janë duke hasur në presion në drejtim të mos faljes së namazit, gjë që barti në një dimension tjetër ngjarjet.

Kryeministri i qeverisë teknike, Oliver Spasovski, duke folur në lidhje me këtë tha se “Askush nuk është më i fuqishëm se shteti. Këtu bëjnë pjesë edhe komunitetet fetare. Nuk i marrim vendimit nën presionin e askujt dhe do të marrim vendimin më të mirë në dobi të shëndetit të qytetarëve tanë”.

Si rezultat, zyrtarët njoftuan orë policore gjatë Fitër Bajramit, duke filluar nga 24 maji, ditën e parë të Bajramit, nga ora 11:00 deri më 26 maj në ora 05:00. Kështu lindi mundësia që besimtarët të falin namazin e Bajramit në xhami. Kjo shkaktoi reagimin e ortodoksëve që mbetën gjatë Pashkës në shtëpitë e tyre.

Pas Bajramit, Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut mbajti mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën vendosi që të shkarkojë kreun e deriatëhershëm, Sulejman Rexhepi. Deri në përgatitjen e kushteve për zgjedhje të reja për kryetar të ri të BFI-së, ushtrues detyre u caktua Shaqir Fetahu, myftiu i Gostivarit. Rexhepi nga ana tjetër, në fund të muajit maj, nëpërmjet një deklarate me shkrim duke renditur ‘sukseset’ gjatë detyrës kishte njoftuar dorëheqjen.

Deklaratat e Ali Ahmetit për kryeministrin e parë shqiptar

Ndërkohë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti me deklaratën me rastin e 18-vjetorit të themelimit të partisë së tij, tërhoqi vëmendjen. Ai në zgjedhjet e ardhshme kërkon kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa ish-kryeministri i vendit dhe kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev duke reaguar ndaj kësaj ka thënë se “Nëse ky është kushti për koalicion, BDI-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme”. Zaev vuri në dukje se çdo qytetar që do të merrte mbështetjen e 61 deputetëve mund të jetë kryetar i qeverisë. Ideja e “kryeministrit të parë shqiptar” ndau edhe palën shqiptare në dy pjesë, ku njëra theksoi se është një qasje populiste e BDI-së që ka humbur fuqinë, ndërsa një pjesë e priti me emocione.

Liderët e partive në vend, nën iniciativën e presidentit zhvilluan disa takime, por nuk arritën datë konkrete për zgjedhjet e parakohshme. Qeveria aktuale kërkon zgjedhje më 5 korrik, ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare thotë se axhenda kryesore duhet të jetë lufta kundër COVID-19 dhe shëndeti i popullit.

Maqedonia e Veriut, e cila pas një çerek shekulli zgjodhi problemin me emrin me fqinjin e saj Greqinë, arriti të jetë anëtarja e 30-të e NATO-s dhe filloi negociatat me BE-në, duke ua treguar në një farë mënyre qytetarëve të saj dritën e prosperitetit. Është çështje kurioziteti nëse vallë ngjarjet e fundit do ta çojnë vendin në një pasiguri të re ose pas një periudhe do të jetë në gjendje për të vënë trenin në binarë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne