Debati për TikTok/ Trump kthen mendje, reshtohet kundër mbylljes

Këtë dhjetor, Trump u takua me shefin e TikTok-ut, Shou Zi Chew. Ai tha se kërkonte që kjo platformë të vazhdojë të operojë

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i bëri thirrje Gjykatës Supreme amerikane që të ngrijë zbatimin e ligjit ndalon TikTok-un, apo që e detyron kompaninë të shitet, duke argumentuar se atij i duhet kohë pasi të marrë detyrën për të gjetur një “zgjidhje politike” për këtë çështje.

Gjykata do të dëgjojë argumentet për këtë rast më 10 janar.

Kongresi amerikan ka kërkuar nga pronari kinez i TikTok-ut, ByteDance, ta shesë platformën te një kompani amerikane apo të mbyllet. Në prill, kongresmenët votuan për ndalimin nëse ByteDance nuk e shet aplikacionin deri më 19 janar.

TikTok, që ka mbi 170 milionë përdorues në SHBA, ka synuar që ta zhbëjë ligjin. Por, nëse Gjykata Supreme nuk vendos në favor të platformës apo nëse nuk nis procedura e shitjes, aplikacioni do të ndalohet në SHBA më 19 janar, një ditë para se Trumpi të marrë detyrën e presidentit.

Mbështetja e Trumpit për TikTok-un paraqet ndryshim të qëndrimit, pasi ai më 2020 kishte tentuar ta bllokonte këtë aplikacion në SHBA dhe ta detyronte që t’i shitej kompanive amerikane për shkak të pronësisë kineze.

“Presidenti Trump nuk do të marrë asnjë qëndrim lidhur me meritat e kësaj mosmarrëveshjeje”, tha D. John Sauer, i zgjedhuri i Trumpit për avokatin e përgjithshëm të SHBA-së.

Në dhjetor, Trump u takua me shefin ekzekutiv të TikTok-ut, Shou Zi Chew, disa orë pasi presidenti i zgjedhur tha se ai ishte në favor që kjo platformë të vazhdojë të operojë në SHBA, të paktën edhe për një kohë të shkurtër.

Kompania më herët ka argumentuar se Departamenti amerikan i Drejtësisë ka keqparaqitur lidhjet e saj me Kinën, duke thënë se makina për rekomandimin e përmbajtjes dhe të dhënat e përdoruesve ruhen në SHBA në serverët që operohen nga Oracle Corp, ndërkaq vendimet për përmbajtjen po ashtu merren në SHBA.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka argumentuar se kontrolli kinez mbi TikTok-un paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare, një qëndrim që është mbështetur nga shumica e ligjvënësve amerikanë./REL

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne