Dëbimi i diplomatëve rusë, Karpushin: E patolerueshme publikimi i emrave nga MPJ

Për ambasadorin e Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin,  publikimi i emrave të dy diplomatëve rusë të dëbuar nga Shqipëria, është një veprim i patolerueshëm i Ministrisë  së Jashtme shqiptare.

Ai thotë se pret të dëgjojë një shpjegim zyrtar të MEPJ-së lidhur me këtë veprim.

Karpushin: Siç jeni në dijeni, më 20 mars Ministria e Jashtme e Shqipërisë lëshoi një deklaratë, në të cilën, pa patur asnjë provë, e akuzoi Rusinë për një “sulm kimik” të zhvilluar kundër Britanisë së Madhe. Ndërsa tani pala shqiptare dëbon dy diplomatët tanë. Madje, në kundërshtim me praktikën e gjithëpranuar ndërkombëtare Ministria e Jashtme e Shqipërisë i ka bërë publikë emrat e tyre. 

Një gjë e tillë është e palejueshme dhe na krijon një indinjatë të fortë. Shpresojmë të dëgjojmë një shpjegim zyrtar të MEPJ-së lidhur me këtë veprim.

Ambasadori rus thekson se mbështetja e dëbimit masiv të diplomatëve rusë nuk ka qenë e detyrueshme për asnjë vend, përfshirë  Shqipërinë. Vendimi i Tiranës zyrtare sipas tij do të dëmtojë marrëdhëniet dypalëshe me Rusinë.

Karpushin: Për ne mbështetja ose jo e këtij vendimi në radhë të parë është indikator i qasjes objektive dhe gjykimit të shëndosh të një vendi apo të një tjetri.Nga ana tjetër, kemi parë dhe deklaratat e politikanëve të disa vendeve-anëtare të NATO-s dhe BE-së, si Belgjika, Austria, Bullgaria, Sllovakia etj., të cilat nuk deshën të dëbonin diplomatët tanë, pasi nuk ka prova të besueshme të implikimit të Moskës në “çështjen Skripal”. Pra, kemi dy qasje diametralisht të kundërta: një pjesë e vendeve nuk kanë nevojë për asnjë provë për ta akuzuar Rusinë, ndërsa një pjesë tjetër mendojnë se është e papranueshme të veprosh pa asnjë provë në dorë. Shqipëria i përket grupit të parë, dhe kjo është zgjedhja e saj. Për fat të keq, kjo besoj se do të dëmtojë marrëdhëniet tona dypalëshe dhe do të ngadalësojë ecurinë e tyre në të ardhmen.

Deklaratat Ambasadori rus në vendin tonë i bëri në një intervistë për televizionin News 24

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne