DEKLARATA E MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME TË FEDERATËS RUSE

Në lidhje me përhapjen në mbarë botën të epidemisë së koronavirusit COVID-19, Ministria e Punëve të Jashtme ruse u bën thirrje palëve në konfliktet e armatosura rajonale të ndërpresin menjëherë veprimet luftarake, të vendosin një armëpushim dhe një pauzë humanitare.

Ne mbështesim deklaratën përkatëse për këtë çështje të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, A. Guterres të publikuar më 23 mars të këtij viti.

Bazohemi në faktin se, në kushtet e mungesës së aksesit të shumicës së banorëve që jetojnë në “pikat e nxehta” ndaj medikamenteve thelbësore dhe ndihmës së kualifikuar mjekësore, një zhvillim i tillë i ngjarjeve mund të çojë në një katastrofë humanitare të një shkalle globale.

Një shqetësim të veçantë shkakton situata në Afganistan, Irak, Jemen, Libi, Siri, si dhe në territoret palestineze, përfshirë Rripin e Gazës. Vërejmë veçmas rreziqe që lidhen me degradimin e mundshëm të situatës epidemiologjike në vendet e Afrikës, ku konfrontimi i armatosur nuk po qetësohet. Më të rrezikuarat janë zonat e kampit të refugjatëve dhe personave të zhvendosur.

Para së gjithash, apeli ynë u drejtohet vendeve që përdorin në mënyrë të paligjshme forcën ushtarake jashtë kufijve të tyre kombëtarë. Nënvizojmë veçanërisht, se në kushtet aktuale, në asnjë mënyrë, nuk mund të gjejë justifikim politika e zbatimit të masave të njëanshme shtrënguese, përfshirë kufizimet ekonomike, të cilat seriozisht ndërlikojnë përpjekjet e autoriteteve për të mbrojtur shëndetin e popullatës së tyre.

Ngjall shqetësim situata në territoret e kontrolluara nga grupet terroriste, të cilat më së paku shqetësohen për mirëqenien e njerëzve. Në të ardhmen, këto zona mund të jenë më të ekspozuara ndaj përhapjes së infeksionit. Ne jemi të bindur që masat kundër terrorizmit duhet të vazhdojnë.

Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’u sigurojë vendeve në nevojë ndihmën e nevojshme humanitare pa asnjë parakusht politik. Një mbështetje e tillë duhet të përqendrohet në shpëtimin e njerëzve në nevojë. Është i papranueshëm përdorimi i ndihmës humanitare si një instrument për të imponuar ndryshime politike të brendshme, si dhe spekulime mbi fatin e viktimave.

Federata Ruse do të vazhdojë të punojë, të japë kontributin e saj në Këshillin e Sigurimit të KB për promovimin e një zgjidhjeje politike dhe diplomatike të konflikteve rajonale bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe normat universale të së drejtës ndërkombëtare dhe është e gatshme për një bashkëpunim aktiv në këtë drejtim me të gjitha palët e interesuara.

#covid19 #Russia

/gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne