Dëmet nga tërmeti, banorët e një pallati në Durrës në protestë: Duam akt-ekspertizë të re, institucionet po tallen

Banorët e një pallati në Durrës janë shprehur kundër vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Një grup prej tyre u mblodhën sot në protestë para bashkisë së Durrësit, për të ngritur problemin që i shqetëson prej muajsh.

Ata kërkojnë akt-ekspertizë të thelluar nga Instituti i Ndërtimit, teksa akuzojnë se institucionet shtetërore po tallen me rastin në fjalë pasi refuzojnë ta kryejnë këtë ekspertizë.

Sipas shqetësimit që ata ngrenë, vlera prej 5 milionë lekësh të vjetra që është përcaktuar për këtë kategori dëmtimesh, është qesharake, pasi katet e poshtme të pallatit janë të shkatërruara me mure të rëna përtokë, dhe kjo shumë parash nuk iu mjafton as për të rregulluar tualetet e banesës.

“Institucionet po luajnë e po tallen me ne pafund. Në fillim pallati nga një akt-konstatim u vlerësua DS3, pastaj doli DS4 nga një akt-ekspertizë dhe i tillë figuron dhe te zyrat e Rindërtimit këtu në Durrës. Ndërkohë bashkia vazhdon duke na trajtuar DS3.

Të paktën nga kati i parë deri në katin e gjashtë muret nuk janë për riparim, janë për rindërtim sepse janë të shkëputura nga kolonat. Nuk kemi siguri, aq më tepër me vlerën qesharake që na kanë lënë me 5 milionë lekë për të rregulluar dëmet”, shprehet banorja, e cila thotë se i kanë kthyer përgjigje negative për akt-ekspertizën e thelluar pasi nuk kanë më fonde.

“Ne duam të vijë ekspertiza e të shohë nivelet e dëmeve, janë edhe kolonat e dëmtuara.

Ku të shkojmë me kollona të dëmtuara. Si t’i bëjmë punimet me 5 milionë lekë me të gjitha të rrëzuara përtokë?!”, thotë një banor i moshuar. “Po bëhet një ngatërresë e madhe. Nuk janë njësoj katet poshtë me ato lart. Dëmtimi ynë në katet e para është shumë i rëndë. Na kanë premtuar në muajin shkurt që do vijnë hyrje për hyrje për konstatim. Shtëpitë tona janë të rrëzuara përtokë. Me 5 milionë nuk bëj dot as riparimet e banjës. Ne kërkojmë nga ekspertët që të vijnë e të firmosin që pallati ynë është i qëndrueshëm nga ana sizmike”,- thotë ky banor.

Në kërkesën drejtuar Institutit të Ndërtimit për “Akt-ekspertizë të thelluar mbi verifikimin e subjekteve të dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019”, IN i ka kthyer këtë përgjigje: “Duhet t’i drejtoheni Bashkisë Durrës, pasi pallati juaj është vlerësuar në dëmtime të nivelit DS3 dhe ne si Institut Ndërtimi bëjmë akt-ekspertizat në çdo objekt që vjen me kërkesë nga bashkia Durrës”.

Bashkia Durrës bën me dije nga ana e saj, se do të zbatohet pikë për pikë rekomandimi nga Instituti i Ndërtimit.

Aktualisht, tani është faza që do hartohet projekt-preventivi për ambientet e përbashkëta që do riparohen nga shteti në bazë të ekspertizës të Institutit të Ndërtimit; çka do të thotë se pallati ka nevojë për përforcime dhe do ndiqen të gjitha procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, përfshirë udhëzimet e dhëna në VKM 26, e datës 15.1.2020./ BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne