Termocentrali i vetëm në Gaza mbyllet pasi Izraeli ndalon hyrjen e karburantit

Termocentrali i vetëm i Rripit të Gazës ndaloi operacionet të martën pas një ndalese izraelite të importeve të karburantit në territorin palestinez, njoftoi autoriteti energjetik i Gazës.

“Termocentrali është mbyllur plotësisht”, tha autoriteti në një deklaratë të shkurtër.

Të mërkurën e kaluar, Izraeli ndaloi importet e karburantit në Gaza, si pjesë e masave ndëshkuese izraelite për lëshimin e balonave me zjarr nga rajoni i bllokuar.

Që nga viti 2007, Rripi i Gazës ka vuajtur nën një bllokadë të ashpër izraelite që ka privuar afërsisht dy milion banorët e saj nga shumë elemente jetike, përfshirë ushqimin, karburantin dhe ilaçet.

Enklava bregdetare vuan nga një krizë e madhe e energjisë elektrike për shkak të mungesës së furnizimeve.

Rripi i Gazës kërkon rreth 500 megavatë energji elektrike, nga të cilat vetëm 180 megavatë janë në dispozicion, për të përmbushur nevojat e popullatës së tij të dendur.

Gaza aktualisht ka tre burime të energjisë elektrike: Izraeli, i cili siguron 120 megavatë; Egjipti, i cili furnizon 32 megavatë; dhe termocentrali i vetëm i saj, i cili gjeneron midis 40 dhe 60 megavatë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne