Demiraj fiton gjyqin me Kodhelin, por MM do të apelojë

Pas vendimit të dhënë nga Gjykata ditën e djeshme, ku urdhërohej kthimi në detyrë i kolonelit, MM duket se do të vazhdojë betejën ligjore me Dritan Demirajn.

Ministria e drejtuar nga Mimi Kodheli, duket se nuk do e pranojë rikthimin në detyrë të kolonelit, aktualisht ministër i Brendshëm teknik i propozuar nga Partia Demokratike.

Ministria e Mbrojtjes thotë se Gjykata Administrative e shkallës së parë i ka dhënë të drejtë Ministrisë së Mbrojtjes për vendimin që ka marrë për largimin nga Forcat e Armatosura të kolonelit në lirim Dritan Demiraj.

“Gjykata e Apelit vendosi dje të pranojë padinë e kolonelit në lirim. Në këto kushte, menjëherë sapo të njihemi me vendimin e gjykatës të zbardhur, Ministria e Mbrojtjes do të ushtrojë rekurs përpara Gjykatës së Lartë”, thuhet në qëndrim.

Demiraj ka 24 medalje në ushtri dhe 27 në sport. Komandant i Forcave Speciale të Ushtrisë, aq sa njihet si “babai”, udhëheqësi i parë luftarak në terren dhe trajnues i misioneve “Eagle” (nga 1-7), pedagog, autor i shumë librave, manualeve e kumtesave deri në kategorinë akademike të kërkimit shkencor.

Kolonel Dritan Demiraj, “Nderi i Kombit” me dekoratë presidenciale, u shkarkua nga detyra me 18 dhjetorit 2014 dhe u lirua me vendim te Kodhelit nga ushtria pas 31 vitesh kontribut.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne