Denoncim për intimidim institucional dhe shkelje të lirisë së shprehjes ndaj aktivistit Baki Goxhaj

Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë (OKKI)

Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë (OKKI) ka ndjekur me shqetësim të thellë denoncimin publik të aktivistit Baki Goxhaj, lidhur me metodat intimiduese të ushtruara ndaj tij nga Drejtoria e Antiterrorit. Referuar fakteve të bëra publike nga vetë Goxhaj në shkrimin “Antiterrori Terrorizon Besimtarët Myslimanë” (https://goxhaj.com/antiterrori-terrorizon/), konstatojmë se jemi përpara një precedenti të rrezikshëm ku strukturat e sigurisë kombëtare po përdoren si mjete presioni ndaj qytetarëve.

1- Ne vërejmë me shqetësim se ky kallëzim penal ndaj z. Goxhaj shpërfaq një standard të dyfishtë të institucioneve ligjzbatuese. Është tejet shqetësues fakti që makineria shtetërore vihet në lëvizje për të hetuar qytetarët që kritikojnë gjenocidin në Gaza, ndërkohë që injoron kallëzimet e bëra po nga këta qytetarë ndaj figurave që mbështesin hapur krimet e luftës.

Fakti që monitorimi dhe hetimi ndaj z. Goxhaj për “Nxitje të Urrejtjes dhe Grindjeve“,ka nisur pas kallëzimit që ky i fundit ka depozituar ndaj kryerabinit të Shqipërisë, Yoel Kaplan, krijon dyshime të forta për një qasje hakmarrëse dhe selektive të drejtësisë.

2- Kallëzimi penal i referuar nga Antiterrori, i bazuar kryesisht në postime në rrjetet sociale që kritikojnë politikanë apo gazetarë, në gjykimin tonë përbën një përpjekje për të kontrolluar diskursin publik. Etiketimi i solidaritetit me Palestinën apo kritikave ndaj Izraelit si “nxitje urrejtjeje” apo “ekstremizëm”, mund të shihet nga njerëzit si një formë e pastër e Islamofobisë institucionale ndaj qytetarëve muslimanë.

Kjo praktikë mund të krijojë një klimë frike, ku qytetarët, veçanërisht ata të besimit musliman, dekurajohen të shprehin bindjet e tyre politike apo të denoncojnë padrejtësitë, nga frika e etiketimit si “terroristë”.

3- Lufta kundër terrorizmit nuk mund të përdoret si alibi për të heshtur zërat kritikë apo opozitarë. Siguria kombëtare mbrohet duke garantuar liritë themelore, jo duke i shkelur ato. Përdorimi i njësive të specializuara të Antiterrorit për çështje që lidhen me opinionet e shprehura në hapësirën digjitale është një shpërdorim i resurseve dhe një formë terrori psikologjik ndaj individit.

Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë përgëzon prokuroren e çështjes, Alba Meta, e cila nuk është bërë palë e këtyre praktikave intimiduese, por ka garantuar zbatimin e ligjit duke respektuar lirinë e shprehjes. Çdo presion psikologjik dhe çdo formë e përdorimit të uniformave të shtetit për të disiplinuar komunitete të caktuara, minon besimin e publikut te shteti i së drejtës./fb

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne