Denoncimi i PD: Zyrat e aviacionit civil do të kthehen në kullë

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka denoncuar se në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit, hapësira e cila shërbente si zyra e ambiente për Aviacionin Civil, do të kthehen në kullë. Ai ka theksuar se nga ky projekt, qytetarët përveçse humbasin mundësinë për hapësira të gjelbra, nuk fitojnë asgjë.

Kjo pasi ndërtimi i kullave nuk është zgjidhje as për kërkesat e mëdha për banesa, pasi çmimet në këto kulla janë të paprekshme nga njerëzit e zakonshëm.

Deklarata:

Jemi këtu në zemrën e Tiranës së re, një nga zonat më të shtrenjta, dhe me dendësinë më të lartë në kryeqytet. Godina pas meje, dhe gjithë hapësira, që aktualisht shërben si zyra e ambiente pune për Aviacionin Civil, shumë shpejt do t’i lërë vendin një kulle të lartë, që Edi Rama e ka planifikuar për një nga miqtë ose klientët e tij.

Plani jo transparent që ka kryeministri për godinat shtetërore, duket se nuk do të kursejë asgjë. Trojet më të çmuara në kryeqytet do të kthehen në pazar të pastër me fitues të paracaktuar. Kjo pjesë e Tiranës, ka nevojë për më shumë gjelbërim, më shumë ajër të pastër, me shumë hapësira për banorët. Ka nevojë për çerdhe, kopsht dhe shkollë.

Çfarë ofron Edi Rama është krejt e kundërta. Një grataçelë e re, që do të sjellë më pak gjelbërim, më pak hapësirë publike, më shumë ndotje të ajrit. Asgjë nuk përfitojnë qytetarët nga ky projekt. Sepse nuk është zgjidhje as për kërkesat e mëdha për banesa, pasi çmimet në këto kulla janë të paprekshme nga njerëzit e zakonshëm.

Është thjesht një pakt i ri abuziv e klientelist i kryeministrit, një mundësi shtesë për pastrimin e parave të pista.
Kjo godina këtu, me gjithë hapësirat e saj, nuk është pronë e Edi Ramës. Këto janë prona shtetërore dhe publike, të ndërtuara nga taksat, nga puna, nga mundi i qytetarëve të këtij vendi. Qytetarët nuk mund të lejojnë që Edi Rama të sillet si pronar i këtyre objekteve, për një aferë të re korruptive. Duhet të ngremë zërin, duhet transparencë, duhet llogaridhënie./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne