Denoncimi/ Si i përdori deputetët e PS Olesia Duka për të marrë 30 mijë euro

Fjorza Mullai, nëna e një fëmije të sëmurë me fibrozë cistike denoncoi në Report Tv se ishte mashtruar nga Olesia Duka, dermatologia e famshme për shoqërinë me deputetët e Partisë Socialiste dhe për pjesëmarrjen në emisionet televizive.

Kontaktet e Olesia Dukës me deputetët socialistë dhe postimet e tyre në rrjetet sociale e gënjyen Fjorza Mullain. Nënës së fëmijës së sëmurë iu premtua se do të ndryshonte ligji për shoqatën që sapo kishte krijuar për fëmijët e sëmurë me fibrozë cistike. Kontaktet me deputetët e PS dhe postimet në rrjetet sociale, Olesia Duka i përdori për t’u dukur si një njeri me pushtet.

“Duke parë që situata ishte delikate, ajo mu afrua me idenë që ‘do iu ndihmojë për ligjin, meqë në rrjetet sociale kishte postime me deputetë, me njerëz që kishin të bënin me shoqata, dhe ne kishim vërtet nevojë për ndihmë, për shoqatën që sapo kemi krijuar për fibrozën cistike.
Më premtoi ndihmë jo vetëm për fëmijën tim, por edhe për të gjithë fëmijët e tjerë që unë kam marrë përsipër për ta çuar përpara si nismë. Ideja është që sigurisht që lekët nuk jepen kollaj, por kur je në situatën time nuk janë as edhe një gjë. Një antibiotik i vajzës sime shkon deri në 800 euro dhe ajo e di shumë mirë, sepse ne e kishim diskutuar, pasi e kisha kliente” tregon Mullai me lot në sy.

Pas premtimeve se ligji do të ndryshonte, erdhi kërkesa për para. Fjorza Mullai i dha Olesia Dukës 30 mijë euro për një hua, ndërkohë që kishte shpresë se kjo ta ndihmonte me shoqatën për fëmijët e sëmurë.

“Vlera që më kërkoi ishte 30 mijë euro. Arriti të krijonte tek unë një besim që vërtet mund të më ndihmonte me shoqatën dhe fëmijët me fibro-cistike, për deputetët që mund të kalonin ligjet në parlament..” tregoi Fjorza Mullai.

Por kush janë deputetët që përdori Olesia Duka?

Olesia Duka kishte sponsorizuar aktiviteteve bamirëse, siç dallohet në videon më poshtë, ku ajo shfaqet përkrah deputetes së Partisë Socialiste.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=mmOeQvXzcFw?feature=oembed]

Në datën 8 mars 2016 Erion Braçe, deputet i PS-së, shkruan në profilin e tij në Instragram:

“Me Olesia Duken @shendident dhe Fredi Kokoneshin ne Divjake;

Feste dhe dhurata per nenat e vetme dhe femijet e tyre per te uruar 8 Marsin!! I jemi mirnjohes Olesias, sipermarrjes se saj qe nxiti dhe mundesoi gjithcka ne nje dimension te ri e pergjegjesi te re sociale te sipermarrjes se saj Shendident!

Projekti vec nis sot!!”

Postimi i Braçes në 8 mars 2016

Olesia Duka ka shfrytëzuar edhe një prej emisioneve më të shikuar në vend, për të kuruar imazhin e saj në publik. Përmes “Pasdite me Rudinën” stomatologia e njohur kishte arritur të promovohej publikisht, si një vajzë që vishej me stil apo që diskutonte mbi tema “të lehta” siç është mbajtja e trupit në formë në palestër.

Nga një kërkim i thjeshtë në Youtube, rezulton se Olesia Duka ishte një vizitore e rregull e emisionit të pasdites nga Rudina Magjistari. (një prej emisioneve mund ta gjeni (këtu)

Olesia Duka ka arritur të përfitojë gati 2 milion euro me mashtrime. Policia konfirmoi shumën e parave, duke shtuar se të mashtruarit ishin disa persona në Tiranë dhe në Durrës.

Skema që përdori Olesia Duka ishte nëpërmjet një profili fals në rrjetet sociale, ku premtonte shitjen e materialeve dentare (Zirkon) klinikave në Tiranë dhe në Durrës.

38 vjeçarja sipas policisë “përdori rrjetet sociale për krijimin e një statusi të rremë me qëllim vjedhjen e pasurisë nga shtetas të ndryshëm duke u paraqitur si grosiste dhe zotëruese e parë e tregut të lëndës “Zirkon” për shërbime stomatologjike”. Ajo merrte paratë nga biznesmenët e kësaj fushe me premtimin për t’ju dërguar lëndën e parë me çmim shumice favorizues, por malli nuk mbërrinte kurrë në destinacion.

Policia ka sekuestruar 4 apartamente të Olesia Dukës e cila në tre muajt e fundit ishte përpjekur ta fshihte pasurinë, pasi kishte kuptuar se po hetohej.

/shqiptarja.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne