Deputeti gjerman: Negociatat nuk u hapën nga Vetingu dhe reforma zgjedhore

Thorsten Frei, raportuesi i grupit parlamentar CDU/CSU në një intervistë për DW (shqip) thotë se vendimi i Brukselit për Shqipërinë dhe Maqedoninë nuk mund të merret as si “po” e as si “jo”.

Zoti Frei, të enjten ishte parashikuar të bëhej një votim në Bundestag mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë, por nuk u bë, përse?

Si koalicion qeveritar ne në fakt deri të martën donim që, në kuadër të debatit për deklaratën qeveritare të vinim në votë dy mocione për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Por kur u pa që Këshilli i BE-së nuk do të merrte vendim, ne e lamë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nuk e përmendi fare zgjerimin e BE-së në fjalën e saj në Bundestag.

Po, është e vërtetë. Zonja Merkel nuk foli për këtë temë. Meqë nuk pati ujdi me Bundestagun, ajo nuk kishte se si të fliste për negociatat në Bruksel. Në Bruksel u ra dakord se kjo çështje do të jetë sërish në agjendë në vitin 2019, pra, pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Por është e qartë se: Para se qeveria gjermane të japë votën e saj, ajo duhet të ketë një mandat nga Bundestagu gjerman. Pra, ende duhet të votojmë për mocionet tona.

Në Shqipëri opozita e shikon vendimin e Këshillit të Ministrave si një “Jo”, ndërsa qeveria e kupton si “Po”.

Nuk është vendimtar Këshilli i Ministrave të Jashtëm, por Këshilli i Bashkimit Europian. Meqenëse ky nuk ka marrë vendim fare, nuk është as “po”, as “jo”.

Kur mund të fillojnë negociatat e anëtarësimit?

Kjo do të varet, jo përpara fundit të vitit 2019. Ne, si grup parlamentar i partive CDU e CSU, do ta kishim mirëpritur qysh tani një vendim për çelje negociatash me kushte. Për Shqipërinë do të kishim qenë dakord për çeljen e negociatave nëse do të ishin përmbushur dy kushte: përfundimi i vetting-ut për 57 gjyqtarët dhe prokurorët më të lartë dhe përmbyllja e reformës zgjedhore. Pra, e thënë më saktë: Konferenca e parë e anëtarësimit do të bëhet vetëm kur zgjedhjet e reja për pushtetin lokal të zhvillohen në bazë të reformës së re zgjedhore të miratuar me konsensus.

Kushtet për Shqipërinë janë të qarta. Po për Maqedoninë? Maqedonia ka marrë shtatë rekomandime tashmë nga Komisioni.

Kjo është e vërtetë. Dhe çdo herë ka ngecur te vota e Greqisë. Prandaj është gjithsesi për t’u njohur fakti që dy qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë tani bënë një përpjekje për ta zgjidhur këtë grindje afro 30-vjeçare për çështjen e emrit Ende nuk është përmbyllur tërësisht. Nevojiten edhe votimet e parlamenteve, në Maqedoni madje kemi përpara edhe një referendum kushtetues. Pra, do të jetë shumë e vështirë, prandaj do të kish qenë mirë që Këshilli i BE-së të dërgonte një sinjal pozitiv te popullsia e Maqedonisë.

A mendoni se do të ketë destablizim të gjendjes në prag të referendumit të shtatorit?

Ky rrezik nuk mund të përjashtohet. Nga ana tjetër ekziston edhe një sinjal i qartë që ky vend ka një perspektivë europiane. Fakti që nuk u morr një vendim për këtë çështje nuk ka të bëjë me Maqedoninë. Sidomos në Francë ekziston opinioni se Bashkimi Europian është i vetë problemi, dhe si i tillë ai nuk mund të jetë i aftë për zgjerim. Por unë jam i mendimit, se premtimi i Selanikut është kryesori dhe se ne orientohemi nga përparimet që ka bërë vendi.

Në shtyp pati së fundi spekulime, se Shqipëria mund të ofrojë strehime për migrantët. Ndërkohë ky lajm është përgënjeshtruar zyrtarisht nga Shqipëria. A ka pasur ndonjë propozim të tillë?

Unë e kam lexuar në gazeta. Politikisht kjo tek ne nuk u diskutua kurrë. Prandaj edhe kam mirëkuptim për vendimin e Shqipërisë për t’i hedhur poshtë këto përfytyrime.

Nuk mund të pritet kurrsesi prej Shqipërisë që të “sakrifikohet” për këtë çështje. Përse u dashka sakrifikuar? A nuk do të bëhet Shqipëria anëtare e BE-së? Kampet pritëse do të kenë kuptim vetëm jashtë BE-së. Kështu që, bëjmë mirë që zgjidhjen ta gjejmë në vendet e Afrikës së Veriut.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne