‘Der Spiegel’: intriga e një kaste të korruptuar e rrëzoi Albin Kurtin

Revista gjermane “Der Spiegel”, thekson se politikanët vendorë dëshironin ta hiqnin qafe Albin Kurtin për shkak se ai paralajmëroi një luftë të ashpër kundër elitës së korruptuar. Ndërsa diplomacia amerikane nga prapavija bëri presion për rrëzimin e tij për shkak se Kurti kundërshton planet për shkëmbimin e territoreve që synohet nga SHBA-të.

Pikërisht në këtë situatë kur urgjentisht kërkohet një menaxhim i përbashkët i krizës së koronavirusit, establishmenti politik kosovar ka shkaktuar një krizë të rëndë shtetërore: të mërkurën shumica e parlamentit votoi një mocion mosbesimi ndaj politikanit të majtë reformator Albin Kurti. Ai tani është ushtrues detyre i kryeministrit. Qeveria e Kurtit do të ishte e para qeveri vërtet reformatore e Kosovës që nga fundi i luftës para 20 vitesh. Ajo qëndroi në pushtet 51 ditë.

Mocionin e dorëzoi partneri i koalicionit i Kurtit, LDK, dhe shkas nominal për mocionin ishte gjoja menaxhimi i paligjshëm i krizës së koronavirusit nga ana e qeverisë. Por, nënvizon “Der Spiegel”, në prapavijë u zhvillua një intrigë e kurdisur nga kundërshtarët politikë të Kurtit në Kosovë dhe nga diplomacia e SHBA-ve.
Revista gjermane thekson se politikanët vendorë dhe administrata amerikane dëshironin ta hiqnin qafe Kurtin për dy arsye. Partia e Kurtit angazhohet për një politikë strikte kundër korrupsionit, për qeverisje transparente dhe për reforma në sektorin social, të shëndetësisë dhe arsimit. Me sa duket për pjesën më të madhe të LDK-së kjo ishte e tepërt.

Sipas “Der Spiegel” arsyeja e dytë e rrëzimit të Kurtit ishte për shkak se ai kundërshton zgjidhjet diplomatike sekrete të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë si dhe shkëmbimin e territoreve që synohet nga SHBA-të. Presidenti Donald Trump synon një zgjidhje të shpejt të konfliktit që këtë ta shfrytëzojë para zgjedhjeve në nëntor si kryevepër diplomatike.

Javëve të kaluara, sipas “Der Spiegel”, puna mberriti deri te një konflikt i hapur mes Kurtit dhe Richard Grenellit, të dërguarit të presidentit amerikan për Kosovën. Grenell kërkoi që Kurti t’i hiqte tarifat ndaj importeve nga Serbia pa asnjë parakusht. Kurti pranoi t’i heq tarifat pjesërisht, por me kusht që Serbia të lëshojë pe në çështje diplomatike.

Rënia e Kurtit nisi kur ai javën që shkoi e shkarkoi ministrin e Brendshëm Agim Veliu për shkak se ai kokë më vete përkrahu shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Kësisoj do të merrte kompetenca shtesë kryetari Hashim Thaçi, një kundërshtar i rreptë i Kurtit dhe njëri nga kokat e establishmentit të korruptuar kosovar. “Der Spiegel” citon eurodeputeten Viola von Cramon-Taubadel, e cila tha se rrëzimi i qeverisë ishte një “manovër krejtësisht e papërgjegjshme”. “BE tani duhet të mbajë qëndrim dhe të marrë punët në dorë në aspektin diplomatik në Kosovë”, tha ajo.

Albin Kurti i tha “Der Spiegel” se qeveria e tij u rrëzua nga një “elitë politike e korruptuar”, e cila prej vitesh sheh së pari interesat e veta. “Pasi gjatë mandatit tim gjërat ndryshuan, ata po e kanë vështirë të pajtohen me këtë”. Kurti u tregua i rezervuar me kritika ndaj diplomacisë amerikane. Ai tha se beson që i ngarkuari i Trumpit, Grenell, “është mashtruar nga disa udhëheqës politikë”. “Der Spiegel” shkruan se si do të ecin gjërat në Kosovë tani është vështirë të parashikohet. Është e mundshme të mbahen zgjedhje të reja apo të krijohet një koalicion i ri./lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne