Derdhte mbetjet e përpunimit të qumështit në ambient të hapur, procedohet pronari i punishtes në Shijak

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, në bashkëpunim me IKMT-në, kanë vijuar kontrollet në Gjepalaj, Shijak, ku u konstatua se mbetjet e një punishteje për përpunimin e qumështit derdheshin në ambient të hapur (tokë bujqësore), duke shkaktuar ndotje.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak u procedua në gjendje të lirë pronari i punishtes, shtetasi D.M., 33 vjeç, banues në Krujë.

IKMT ka marrë masën admininistrative të dënimit me gjobë 2 milion lekë (të reja) ndaj subjektit, në lidhje me veprimtarinë e paligjshme të konstatuar.

Gjithashtu në ambientet pranë objektit u konstatua dhe një ndërtim i paligjshëm. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Ndotja e ajrit” dhe “Ndërtim pa leje”.

Policia e Shtetit dhe IKMT apelon për këdo të denoncojë shkeljet në mjedis dhe çdo paligjshmëri tjetër, në numrin falas 112 ose Komisariatin Dixhital.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne