Katari kundërshton planin e Izraelit për aneksimin Bregut Perëndimor

Katari ka përsëritur kundërshtimin e tij për çdo veprim të Izraelit për aneksimin e pjesëve të Bregut Perëndimor të okupuar, duke u zotuar të vazhdojë mbështetjen për popullin palestinez.

“Ne hedhim poshtë çdo përpjekje për aneksimin e çdo toke të okupuar palestineze”, tha ministri i Jashtëm, Mohamed bin Abdulrahman Al Thani, gjatë një takimi virtual të Komitetit Ndërlidhës Ad-Hoc për koordinimin e ndihmës ndërkombëtare për popullin palestinez.

Izraeli pritet të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor të okupuar në bazë të një plani të dakorduar nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe rivali i tij i dikurshëm, tani aleati i tij Benny Gantz, kreu i partisë Kaltër e Bardhë.

Plani vjen si pjesë e të ashtuquajturës “Marrëveshja e Shekullit” të Presidentit amerikan Donald Trump që u njoftua më 28 janar. Ai i referohet Kudsit si “kryeqyteti i pandarë i Izraelit” dhe njeh sovranitetin e Izraelit mbi pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor.

Plani kërkon krijimin e një shteti palestinez në formën e një arkipelagu të lidhur me ura dhe tunele.

Zyrtarët palestinezë thonë se sipas planit amerikan, Izraeli do të aneksojë 30-40 përqind të Bregut Perëndimor, përfshirë të gjithë Kudsin Lindor.

Ministri i Jashtëm i Katarit tha se Doha u ka dhënë mbështetje me vlerë 1.2 miliard dollarë palestinezëve gjatë tetë viteve të fundit. “Dhe ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për popullin palestinez”, tha ai.

Kryediplomati i Katarit shprehu shqetësim për një rënie të kontributeve financiare për palestinezët për shkak të shpërthimit të koronavirusit. “Kjo sfidë po bëhet më e ashpër për shkak të masave të marra nga okupimi izraelit”, tha ai.

Themeluar në vitin 1993, Komiteti Ndërlidhës Ad-Hoc është një organ ndërkombëtar i ndihmës për të koordinuar mbështetjen për palestinezët./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne