Raundi i gjashtë i bisedimeve të Sirisë në Gjenevë përfundoi të premten me dështim, pasi nuk pati përparim të ndonjë çështjeje për një zgjidhje politike të krizës siriane.
Raundi i fundit i bisedimeve pritej të përqëndrohej në katër tema: kushtetutën, qeverisjen, zgjedhjet dhe luftën kundër terrorizmit.
Duke folur në fund të bisedimeve në OKB, kreu i delegacionit nga regjimi i Bashar al-Asadit, Bashar al-Xhafari u tha gazetarëve se asnjë nga këto tema nuk u diskutua.
I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura tha në një konferencë shtypi: “Ne nuk kemi pasur kohë të shkonim thellë në të katër temat”.
De Mistura tha se data e raundit tjetër të bisedimeve ka gjasa të shpallet në mes të qershorit.
Pas përfundimit të këtij raundi bisedimesh të paqes, kreu i delegacionit të opozitës, Nasr al-Hariri u tha gazetarëve: “Mendoj se duhet të flasim për çdo arritje të vogël. Mendoj se mbajtja e gjallë e progresit të Gjenevës është një arritje”. / © Gazeta Impakt