Në ditën e parafundit të komisionit hetimor për sterilizimin dhe “chek up” u paraqit për të dëshmuar ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj.
Beqaj i është dashur të presë në ambientet e kryesisë së kuvendit për mbi tetë orë pasi deputetët e opozitës kanë kërkuar që më parë të arrihet dakordësi për të shtyrë pa afat këtë komision.
Mazhoranca nuk pranon me argumentin se është shtyrë dy herë ky komision dhe të enjten duhet të paraqitet nga ekspertët raporti hetimor përfundimtar.
Edhe pas këtyre debateve, kur është futur për të dëshmuar Beqaj ka pritur sërish edhe pasi ka kërkuar që deklaratën e tij ta bëjë nëpërmjet një prezantimi në “power point”. Kryetarja e Komisionit Albana Vokshi nuk e ka lejuar.
Pasi nuk u gjet dakordësi, mbledhja u shty për ditën e nesërme në orën 10;30, ku pritet të dëshmojë Beqaj.
E mërkura është dita e fundit ku janë thirrur si dëshmitarë edhe administratori i koncesionit të “chek up”, i cili nuk është paraqitur pasi ndodhej jashtë shtetit dhe tre aksionerët italianë në koncesionin e sterilizimit./Tpz