“Ai më kërkoi t’i tregoja nëse e kisha tradhtuar dhe nëse do ia tregoja, nuk do të më bënte asgjë”! Kështu e nis rrëfimin e saj, G. Goxhara, bashkëshortja dhe nëna e dy fëmijëve të efektivit të policisë, Erjon Goxharës, i vënë në pranga për vrasje me dashje të mbetur në tentativë.
Më tej, ajo i ka rrëfyer grupit hetimor se pasi i ka pranuar tradhtinë, dhe sipas saj, kjo kishte ndodhur shumë kohë më parë dhe vetëm një herë, ai ka nisur të ushtrojë dhunë ndaj saj. Pas dhunës sistematike psikologjike dhe fizike, G., është kthyer në familjen e saj, ndërkohë që takimi i fundit mes tyre ishte në prani të nipit të Erjonit. Ky i fundit ka rrëfyer gjithçka ka dëgjuar në atë takim, ndërsa i ka thënë policisë se Erjoni donte të vriste veten.
Gruaja ka treguar se nga janari 2024, Erjoni ka shfaqur shenja xhelozie, “duke u fiksuar që mund ta tradhtonte e më pas presion psikologjik deri dhe dhunë fizike”, ndërsa një javë para se ta qëllonte me 6 plumba afër banesës së tij te “Komuna e Parisit”, ai e ka kërcënuar me jetë.
Ndërsa nipi i Erjon Goxharës pranon se daja i tij ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe “shpeshherë tregonte se do vriste veten”. Ai ka pranuar se dhe nusja e dajës së tij ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe e tronditur.
“Pasi ka mësuar tradhtinë, ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe shpeshherë tregonte se do vriste veten. Më 19 gusht, në prezencën time teksa pinin kafe në një lokal, Erjoni ka kërkuar që bashkëshortja t’i kërkonte falje, por që nuk ka ndodhur. Ai ka tentuar ta godasë, por unë nuk e lejova. E shoqërova gruan e Erjonit për në banesë, ndërkohë që ajo godiste veten me grushte në fytyrë”. Në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale është pyetur dhe kolegu i Lorenc Kostës. Ai ka thënë se rreth orës 13:55 shtetasi Lorenc Kosta e kishte telefonuar duke i thënë që më qëlluan poshtë shtëpisë. Pasi ka shkuar në vend E.R e ka pyetur si është ndërsa Lorenci i ka thënë se e ka ndaluar shtetasi Erjon Goxhara, i ka thënë që do sqaronte diçka e më pas e ka plagosur me armë.
Marsel S., kunati i efektivit Erjoin Goxhara, i cili është në burg ka dëshmuar në polici se ky i fundit i ka dërguar një video pak pas ngjarjes. Pasi e qëlloi 6 herë me armë zjarri Lorenc Kostën, ai e filmoi të shtrirë në tokë dhe të gjakosur dhe më pas videon ia dërgoi kunatit të tij. “Nga deklarimi i shtetasit Marsel S., ndër të tjera ai sqaron se autori i dyshuar, shtetasi Erjon Goxhara, në orën 14:34 në aplikacionin ‘Whatsapp’ i ka dërguar një video ku shfaqej një person i shtrirë në tokë dhe i gjakosur, ndërsa në orën 15:00 shtetasi Marsel Seferi i ka kthyer mesazh: ç`a është kjo se s`po e kuptoj’. Nga ana jonë u këqyr telefoni i shtetasit Marsel Seferi ku videoja u ruajt në CD për t’iu bashkëlidhur procesverbalit përkatës”, theksohet në dosje.