DETAJE/ Ndryshon skema e pranimeve në universitete për maturantët. Ja udhëzimi i ri për aplikimet

Kur ka mbetur vetëm një javë nga sezoni i provimeve të maturës shtetërore, maturantët do të duhet të duhet të mësojnë veç të tjerash edhe skemën e re të aplikimeve e regjistrimeve në universitet.

Ministria e Arsimit ka hartuar një udhëzim të ri mbi të vjetrin, duke reduktuar fazat dhe mundësitë e përzgjedhjes së degëve pas çdo raundi. Kjo ul shanset e pranimit për aplikuesit që nuk e gjejnë veten që në raundin e parë.

Veç kësaj, shumë shpejt pritet një vendim i ri qeverie me pragun e ri hyrës për aplikantët në degët e mësuesisë. Nga 7.5, nota mesatare për të hyrë në një program të tillë, thuhet se do të shkojë në tetë.

SKEMA E PRANIMEVE

Do të jenë tri raundet e aplikimit, por mundësitë për të zgjedhur degët e preferuara dhe koha e regjistrimit reduktohen pas çdo raundi, për maturantët që nuk fitojnë degën e preferuar që në krye të herës.

Ekspertët e Ministrisë së Arsimit e kanë parë të arsyeshme të bëjnë këto ndryshime që reflektohen që në raundin e parë.

Në formularin e aplikimit që maturantët plotësojnë zakonisht në fund të korrikut, pasi kanë marrë rezultatet e provimeve, ata do të aplikojnë sërish për dhjetë degë, por mundësitë e regjistrimit nuk do të jenë shtatë faza 48-orëshe, por gjashtë të tilla. Atyre që nuk arrijnë të fitojnë dot në këtë raund, u ngushtohet më shumë “laku” në vijim.

Nga moria e programeve me kuota të lira, udhëzimi i ri e ngushton mundësinë e aplikimeve vetëm me shtatë degë, ndërsa regjistrimet do të bëhen jo më në pesë faza, por katër 48-orëshe.

Kjo nënkupton më pak shanse, pasi viza e kuqe për të pranuar më shumë fitues do të ulet një herë më pak nga vitet e kaluara. Edhe me raundin e tretë dhe të fundit do të ndodhë e njëjta gjë. Vetëm pesë degë do përzgjidhen. Nëse fiton, ka vetëm tri faza për të qenë pjesë e listës së studentëve në fakultetin aplikues.

REALIZIMI I KUOTAVE

Me udhëzimin e fundit, Ministria e Arsimit u lë dorë të lirë universiteteve të përshtatin kuotat e deklaruara. Në përfundim të raundit të parë, duke parë dhe ecurinë e plotësimit të tyre, IAL-të, publike e private mund të jenë me elastikë, me qëllim realizimin e numrit total të pranimeve. Çka nënkupton se kuotat që parashikohen të mbeten bosh në një profil mund të kalohen te profili për të cilin ka shumë kërkesa.

Për herë të parë, kjo gjë mund të realizohet, por vetëm pasi të kenë vënë në dijeni më parë ministrinë.

“Kuotat e paplotësuara në përfundim të raundit të parë për çdo program studimi mund të përshtaten nga IAL-të në programe të tjera studimi të të njëjtit cikël të ofruara brenda së njëjtës njësi kryesore, pa kaluar totalin e kuotave për njësi kryesore, dhe njofton zyrtarisht MASR për vendimin e senatit akademik mbi përshtatjen e kuotave të programeve të studimit. Në rast se përshtatja e kuotave është sipas përcaktimeve ligjore, MASR njofton IAL-të, RASH dhe QSHA për konfirmimin e përshtatjen së kuotave”, citohet në udhëzimin e ri për aplikimet dhe regjistrimet në universitete.

Në fund fare, pas përfundimit të tri raundeve, në rast se rezultojnë ende kuota të lira, universitetet nuk vazhdojnë më me të njëjtën listë kandidatësh deri në realizimin e kuotave, por marrin në konsideratë edhe listën e raundit paraardhës.

“IAL-të, gjatë regjistrimeve, respektojnë renditjen e raundit paraardhës të kandidatëve deri në plotësimin e kuotave”.

RAUNDET APLIKIME REGJISTRIME

RAUNDI I 10 programe 6 faza 48-orëshe
RAUNDI II 7 programe 4 faza 48-orëshe
RAUNDI III 5 programe 3 faza 48-orëshe

/tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne