Shqiperia

DETAJE/ Po shkonte në punë, 61-vjeçari humb jetën nga të ftohtit

Po shkonte me biçikletë në punë, vdes gjatë rrugës 61-vjeçari. Shënohet viktima e parë si pasojë e motit të ftohtë në Korçë.

Një 61-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e motit të keq mëngjesin e së shtunës Jani Poda ishte nisur për në punë në mëngjes herët si çdo ditë, por teksa ishte duke ecur me biçikletë, ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Babai i dy fëmijëve ishte duke shkuar për në punë nga fshati Ravonik në drejtim të qytetit të Korçës ku punonte në një fabrikë këpucësh. Së bashku me kolegët e tij, Poda kishte nisur rrugën si çdo mëngjes duke e përshkruar me mjetin e tij dyrrotak. Pasi kishte marrë ushqimin që do të konsumonte gjatë ditës, Poda dhe disa banorë të tjerë të fshatit, të cilët punonin tek e njëjta fabrikë, nisën rutinën e tyre të përditshme ndërsa udhëtonin me biçikletë për shkak se fshati Ravonik ndodhet vetëm 2 km në distancë nga qyteti i Korçës.

Por, vetëm pak metra para se të hynin në qytetin e Korçës, 61- vjeçari është rrëzuar në tokë i pajetë. Menjëherë, shokët, të cilët e shoqëronin, i janë afruar për ta ndihmuar, pasi kanë kujtuar se ai ishte rrëzuar. Por më pas kanë konstatuar se 61-vjeçari nuk merrte frymë. Pavarësisht ndihmës, Jani Poda nuk ka dhënë më shenja jete.

Ekspertiza mjekësore përcaktoi si shkak të vdekjes atakun kardiak, ndërsa mendohet se është shkaktuar si pasojë e të ftohtit. Temperaturat në juglindje të vendit orët e para të mëngjesit të së shtunës shkuan deri në -13 gradë celsius, duke sjellë jo pak probleme në jetën e përditshme.

Në disa prej akseve nacionale, prezenca e shtresave të akullit ka sjellë vështirësi për lëvizjen dhe qarkullimin e automjeteve. Aksi Korçë-Dardhë dhe Korçë-Ersekë janë dy akset, të cilat vazhdojnë të kenë probleme, ndërkohë që disa nga njësitë administrative në juglindje të vendit mbeten të izoluara.

Në malësinë e Pogradecit, njësite e Vincanit, Mokrës, Trebinjës, por edhe disa fshatra në Devoll, mbeten të izoluara nga bora prej 4 ditësh./Panorama