Policia italiane ka dhënë detajet e plota për operacionin anti-drogë ku u lëshuan 26 urdhër arreste, 7 prej të cilëve shqiptarë. Të gjithë personat të hetuar si pjesë e një organizate kriminale transnacionale të trafikut ndërkombëtar të heroinës, kokainës e marijuanës. Grupi furnizonte gjithë zonën e Napolit dhe Casertas. Hetimet nisën në maj të vitit 2016 kur efektivët e Kompanisë së Guardia di Finanza të Marcianise vunë nën vëzhgim të rreptë një rrjet shpërndarësish droge që vepronte në zonat e Marcianise, Capodrise, Macerata Campania dhe Portico di Caserta.
Nga hetimet e mëvonshme, doli se në zonën midis Casandrino, Grumo Nevano, Melito dhe Acerra vepronte një rrjet i vërtetë trafikantësh që bashkëpunonin mes tyre për të importuar heroinën nga jashtë. Përtej kufijve italianë, ekzistonte një tjetër grup kriminal i qëndrueshëm i formuar nga shtetas shqiptar që furnizonin italianët me çdo lloj narkotikësh të kërkuar, por mbi të gjitha të specializuar në heroinën e tipit “Cobret”, shumë të kërkuar në sheshet e zonës napolitane. Po ashtu ky rrjet garantonte një fluks të vazhdueshëm të drogës që vinte nga Turqia dhe Holanda, që hynte në Itali gjithmonë përmes Shqipërisë.