Deutsche Welle ndjek revoltën e studentëve: Nuk duan politizim

Media e njohur gjermane Deutsche Welle po i ndjek hap pas hapi, zhvillimet e protestës studentore në Shqipëri.

Kjo media ka shkruar për të dytën herë sot për protestën e studentëve shqiptarë, ku njofton se protesta po mbështet nga prindër dhe pedagogë. Më herët, DW njoftoi se edhe studentët shqiptarë të diasporës, nga Shqipëria dhe Kosova, ishin duke protestuar në Gjermani në mbështetje të shokëve të tyre.

Artikujt si më poshtë dhe fotot nga DW:

“Studentë të Universitetit të Tiranës të mbështetur edhe nga studentët e Universiteteve Publike në disa rrethe protestojnë për të pestën ditë përballë Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar përgjysmimin e tarifave shkollore dhe kushte më të mira në Universitete.

Protestat kanë çuar në pezullimin e mësimit në auditore, ndërsa qeveria po përballet me kërkesat e tyre. Studentët refuzojnë mbështetjen nga partitë politike, ndërsa prindër dhe pedagogë janë vendosur përkrah tyre.”

Studentët e diasporës nga Shqipëria dhe Kosova mbështesin kërkesat e studentëve që protestojnë në Shqipëri. Ata dolën me pankarta këtë të shtunë (8.12) edhe në Bon në Gjermani: Erik Shpofi, student i ekonomisë në Universitetin e Bonit thotë: “Të gjitha kërkesat që studentët kanë: tarifat e larta, kushtet mizerabël në konvikte, mungesa e kartës studentore, mungesa e literaturës dhe aksesit në revistat shkencore nëpër biblioteka e të gjitha kërkesat e tjera, janë probleme reale dhe që presin zgjidhje prej shumë vitesh.”

Studentët shqiptarë në Gjermani para disa vitesh kanë qenë vetë studentë të Universitetit Tiranës, sikurse Olsi Pajo. Në ditën kombëtare të rinisë, ai vlerëson nismën e studentëve në Shqipëri duke thënë: “Mendoj se ne shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe trojet e tjera, kemi dëshmuar se dimë t’i përdorim protestën dhe rezistencën për të fituar të drejta politike themelore si liria dhe pluralizmi.

Sot, ka ardhur koha që t’i përdorim këto instrumente demokratike për të fituar të drejta sociale dhe ekonomike. Shpresoj shumë që protesta dhe rezistenca të vazhdojë dhe studentëve t’u plotësohen të gjitha kërkesat që kanë.”

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne