Shqiperia

‘Dhuna’ ndaj aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, reagon Komisionerja për të Drejtat e Njeriut: Policia nuk ka reflektuar, vazhdon të përdorë forcën

Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç, ka reaguar në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj aktivistëve për mbrojtjen e Teatrit.

Sipas komisioneres, vrasja e Klodian Rashës dhe një sërë ngjarjesh të tjera të ndodhura në vend demonstrojnë se policia nuk ka reflektuar, por vazhdon të përdorë forcën.

Në reagim, është publikuar edhe fotoja e Donald Martiniit, pedagog pranë Liceut Artistik, që sipas Aleancës, është rrahur nga forcat policore.

Postimi i plotë i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit:

Reagimi Komsioneres për të Drejtat e Njeriut Dunja Mijatoviç pas protestave që u zhvilluan pas vrasjes së të riut Klodian Rasha, për të kuptuar se si Policia ende nuk ka reflektuar per dhunën e përdorur ndaj protestuesve, pasi përdori të njejtën dhunë edhe më të egër ndaj aktivistëve të ndaluar dhe dhunuar dje në Komisariatin 1.

Një prej tyre ishte Donald Martini në foto, një prej koreografëve më të mirë shqiptarë, pedagog në liceun artistik. Pikërisht dje ai kori një çmim prestigjoz në një festival filmi me një etyd kërcimi ku kish realizuar koreografinë, në Los Angeles në USA. Në këmbim mori dhunën e Policisë Shqiptare, sepse kërkoi të ushtronte të drejtën e tij për liri.

Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Strasburg Dunja Mijatoviç:

“Autoritetet shqiptare duhet të parandalojnë dhunën e mëtejshme policore dhe të mbështesin të drejtën për lirinë e tubimit paqësor.

Autoritetet shqiptare duhet të tregojnë përmbajtje në demonstrata dhe të sigurojnë hetime të hollësishme, të pavarura dhe efektive për të gjitha pretendimet e përdorimit të tepruar të forcës.

Përdorimi joproporcional i forcës është raportuar gjithashtu në lidhje me të tjera protesta të organizuara në Shqipëri në fillim të këtij viti.

Reagimi ndaj pandemisë Covid-19 nuk u jep autoriteteve ‘kartë të bardhë’ për të përdorur forcë në pandemi.

E drejta për mbledhje paqësore mund të kufizohet për të mbrojtur shëndetin publik, autoritetet duhet të mbështesin parimet e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit në të gjitha rrethanat. Prandaj, ndalimet në parim të grumbullimeve publike dhe shpërndarja e demonstratave për të vetmen arsye se ato shkelin rregullat e masave kufizuese, pa marrë në konsideratë përdorimin e mjeteve te tjera, duhet të shmangen. Policia duhet gjithashtu të bëjë dallimin midis individëve të përfshirë në dhunë dhe atyre që demonstrojnë në mënyrë paqësore dhe të përmbahen nga përdorimi i rëndë ose pa kriter i forcës. Për më tepër, çdo ndalim i fëmijëve duhet të kryhet vetëm si një masë e fundit dhe duhet të respektojë plotësisht të drejtat e tyre procedurale, duke përfshirë të drejtën për t’u pyetur vetëm në prani të një avokati ose njërit prej prindërve ose kujdestarëve të tyre.

Është thelbësore të sigurohet që oficerët e policisë që veprojnë në kontekstin e demonstratave të marrin trajnim të specializuar në menaxhimin e grumbullimeve dhe përdorimin proporcional të forcës.

Autoritetet duhet që në çdo kohë të demonstrojnë tolerancë zero ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit të përfshirë në përdorimin e tepruar të forcës, të cilët duhet të identifikohen, të sillen para drejtësisë dhe të sanksionohen në përputhje me praktikën gjyqësore përkatëse të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Udhëzimet për Çrrënjosjen e Mosndëshkimi për shkeljet serioze të të drejtave të njeriut miratuar nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës në 2011. Veshja e etiketave të dukshme të identifikimit ndihmon në sigurimin e përgjegjësisë. Për më tepër, personat që pretendojnë të jenë viktima të sjelljes së keqe të policisë duhet të jenë në gjendje të paraqesin një ankesë për të marrë dëmshpërblim.

Sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë një shkelje serioze të lirisë së shtypit dhe të drejtës për tu informuar. Autoritetet duhet të sigurojnë që gazetarët mund të vazhdojnë të informojnë qytetarët pa frikë nga kërcënimet ose aktet e dhunës”.

/tpz

OPINIONE