Shqiperia

Diplomati britanik: Në Shqipëri duhet një qeveri teknike

Përfaqësuesi i lartë i konservatorëve britanikë Daniel Hannan ka mbështetur protestën e opozitës dhe kauzën e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në një intervistë për Top-Channel, ndër të tjera ai ka thënë se është e nevojshme krijimi i një qeverie teknike.

Pyetje: Jeni në Shqipëri për të marrë pjesë në samitin e lirisë. Përgjatë 2 muajve të fundit situata politike në vendin tonë ka qënë e tensionuar. Opozita ka bojkotuar parlamentin dhe po proteston në shesh kundër qeverisë. Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka vendosur 4 kushte, një prej të cilave krijimi i një qeveri teknike e cila do të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme. Sipas jush, a është e pranueshme të kërkosh vetëm 2 muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, një qeveri teknike dhe shpërndarjen e parlamentit apo dorëheqjen e qeverisë?

Daniel Hannan: Që demokracia të funksionojë, duhet që të gjitha palët të bien dakord për një rrugëzgjidhje. Aspekti më thelbësor i cdo demokracie është të pranojnë legjitimitetin e rezultatit. Njerëzit do të mbajnë mend që edhe në kohën e bashkimit sovjetik ka patur zgjedhje të rregullta. Edhe pse ato nuk kishin asnjë kuptim. Ndaj të gjitha palët politike duhet të kuptojnë se zgjedhjet janë reale.

Mendoj se ka një cështje shumë të fortë që për një kohë të shkurtër vendi të ketë një qeveri teknike, që deri tani vetëm është propozuar, për të garantuar integritetin e të gjithë procesit zgjedhor. Një qeveri e dakordësuar nga të gjitha partitë politike, dhe një qeveri e cila thjesht do të garantojë mbështetje për të gjitha partitë në Shqipëri se këto ishin zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe meqë ra fjala, nuk mendoj se kjo duhet të shihet vetëm si një argument kundër qeverisë aktuale. Mendoj se do të ishte një precedent i mirë që përpara cdo palë zgjedhje, që për disa javë mund të keni dikë në krye që mos të jetë i politizuar.

Gazeta Impakt

OPINIONE

INTERVISTA