Bota

“Disa vende në KS-OKB vendosin interesat e tyre mbi vlerat njerëzore”

Drejtor i Rrjetit të të Drejtave të Njeriut në Mianmar (BHRN), Kyaw Win, është shprehur se disa vende në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) vendosin interesat e tyre mbi vlerat njerëzore.

Kyaw Win ka vizituar New Yorkun për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për çështjen e Arakanit si dhe për të zhvilluar disa takime, ndërsa Anadolu Agency (AA) ka bërë disa vlerësime për situatën e fundit të krizës në lidhje me muslimanët e Arakanit si dhe qëndrimin e OKB-së.

“Vërehet se disa vende në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) vendosin interesat e tyre mbi vlerat njerëzore. Disa superfuqi vendosin pengesa përpara nesh në çështjen e Arakanit. Nuk dëshiroj të jap emrin e këtyre vendeve”, është shprehur Win, duke theksuar se komuniteti ndërkombëtar është i ndarë në lidhje me krizën e Arakanit.

Vlerat njerëzore duhet të jenë prioritet, ka theksuar Win duke shtuar se “Drejtësia është shumë e rëndësishme në këtë çështje. Gjaku dhe krimi vazhdojnë nëse injorohen drejtësia dhe llogaridhënia”.

– “Kriminelët duhet të sillen para drejtësisë”

Pasi ka rikujtuar se muslimanët e Arakanit përballen me 4 nga 5 pikat që përcaktohen gjenocid të kryer nga ushtria e Mianmarit në raportin me 44 faqe të publikuar nga Misioni i pavarur hetimor ndërkombëtar i OKB-së, Win tha se “Ky raport i publikuar nga OKB ishte shumë i rëndësishëm. Sepse për herë të parë në historinë e muslimanëve të Arakanit komuniteti ndërkombëtar ka theksuar se ata janë përballur me gjenocid. Gjetjet në këtë raport janë të rëndësishme edhe që kriminelët të japin llogari, por edhe që ndaj këtyre personave të jepen ndëshkimet e nevojshme. Nëse fajtorët nuk ia dorëzojmë drejtësisë, këto persona duke menduar se nuk do të ndëshkohen do të vazhdojnë të bëjnë sipas mendjes së tyre. Këtë mund ta vërejmë qartë kur shikojmë historinë e Mianmarit”.

Duke bërë të ditur se edhe pakicat në rajonet Kaçin, Karen dhe Shan të Mianmarit përballen me shkelje serioze të të drejtave, Win shtoi se përgjegjësit e këtyre krimeve janë ushtria e Mianmarit dhe se këto persona duhet të sillen para drejtësisë.

– “Vazhdon gjenocidi kundër muslimanëve të Arakanit”

“Është shumë e rëndësishme që të dihet se: Vazhdon, nuk ka mbaruar gjenocidi kundër muslimanëve të Arakanit në Mianmar. Jam i habitur që disa vende ende e nënvlerësojnë këtë çështje. Në shek.21 nuk duhet të lejohet kryerja e krimeve të tilla dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të shqyrtojë këtë çështje me mënyrat e përshtatshme. Ndarja në komunitetin ndërkombëtar dëmton rregullin në botë”, tha Win, në lidhje me situatën e fundit në Arakan, duke shtuar se 500 mijë njerëz në këtë rajon janë lënë nën jetesën e imponuar në mungesë të ushqimeve, produkteve mjekësore dhe ujit të pijshëm.

Duke theksuar se banorët e Arakanit përbëjnë vetëm 30 për qind të popullatës muslimane në Mianmar, Win tha se “Të gjithë muslimanët që jetojnë në të gjithë Mianmarin përballen me shumë mizori. Ndodhen 76 rajone ku ndalohet hyrja e muslimanëve. Në shumë vende muslimanëve nuk u jepet punë. Po ashtu problem është edhe nënshtetësia. Në kartën e identitetit të tyre qeveria e Mianmarit shkruan se ata janë nga kategoria e ‘gjakut të përzier’. Me këtë kategori ata përballen me diskriminim dhe padrejtësi në shumë çështje. Procesi i tyre për pasaporta zgjat më shumë dhe herë herë merren në pyetje”.

“Në Mianmar liria fetare është nën kërcënim”, ka theksuar Win, duke treguar se që nga fillimi i vitit 2018 e deri tani në të gjithë vendin janë mbyllur 20 xhami dhe medrese si dhe po ashtu janë mbyllur edhe disa kisha.

– “Turqia, një shembull i madh në botën muslimane”

Duke u bërë thirrje vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) Win tha se “Dëshirojmë që vendet anëtare të OBI të ushtrojnë presion mbi qeverinë e Mianmarit dhe të ofrojnë mbështetje që ky vend të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Ju lutem na ndihmoni”.

Më tej duke tërhequr vëmendjen në përpjekjet që Turqia ka treguar që nga dita e parë e krizës së Arakanit, Win tha se “Dëshiroj t’i shpreh falënderimet e mia popullit dhe liderëve të Turqisë. Ka treguar një shembull të madh në botën muslimane dhe është një prej vendeve që ka dhënë përgjigje për këtë çështje. Ka shumë gjëra për të bërë. Duke punuar me të gjithë komunitetin ndërkombëtar duhet të zgjidhim këtë krizë. Nëse mbi vlerat njerëzore mbahen gjëra të tjera atëherë kurrë nuk do të arrijmë paqen dhe mirëqenien ndërkombëtare”.

Burimi: AA

OPINIONE