Diskutimet në mbledhjen me dyer të mbyllura të Bashës, 4 ide se çfarë do të ndodhë tani që logo dhe vula u kthyen te Berisha

Janë zbardhur diskutimet në dy mbledhjet urgjente të Lulzim Bashës me strukturat e tij, pas vendimit të Gjykatës së Apelit ditën e djeshme që i dha vulën e PD-së Sali Berisha. Ky vendim ka ardhur si rrufe në qiell të hapur per strukturat e Lulzim Bashës dhe shumë prej zyrtarëve ishin të shqetësuar, të mërzitur dhe pa një ide të qartë se çfarë do të ndodhë me ta.

Sipas burimeve, gjatë mbledhjeve të zhvilluara pas vendimit të Apelit janë hedhur 4 ide se çfarë mund të ndodh me grupimin e Bashës. Disa prej anëtarëve të këtyre strukturave kanë kërkuar Rekurs në Gjykatën e Lartë. Një tjetër ide është mbyllja e ballafaqimit ligjor dhe krijimi i një partie të re. Një grup i konsiderueshëm e shikojnë momentin e dhënies së vulës Sali Berishës si ndarje përfundimtare nga berishizmi, dhe për këtë sipas tyre ata duhet tu ofrojnë qytetarëve një mundësi tjetër, larg kësaj fryme.

Mundësia e tretë është që secili të shohë rrugën e tij, duke mos u angazhuar më në politikë pasi pa vulën, ikën edhe strukturat dhe votuesit e partisë. Ideja e katërt e hedhur është ajo e një fraksioni brenda PD, por që kjo nuk është mbështetur nga shumica e anëtareve pasi refuzohet njohja e Sali Berishës si kryetar.

Asgjë nuk është vendosur se çfarë do të ndodhë me këtë grupim, pasi Lulzim Basha në të dyja këto mbledhje të gjata ka kërkuar më shumë që të kuptojë idetë që kanë të besuarit e tij sesa të shkojë me propozime konkrete se çfarë rruge do të ndjekin. Sipas burimeve vendimi i Apelit pritet të ndikojë edhe deputetet të cilët janë rreshtuar krah Bashës që publikisht kanë deklaruar se do të shkojnë pas vulës, cilido që do ta marrë atë./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne