Diskutoni për Naim Frashërin I nderuar Gjergj Meta…

Përshëndetje, i nderuar Gjergj Meta,
Ipeshkëv i Rrëshenit, President i KISH-it,
Ju urojmë sukses me rastin e vizitës ad limina Apostolorum që ju po bëni në Vatikan. Jeni në vendin e duhur, në kohën e duhur, në grupin e duhur për të diskutuar problemet e shenjtërisë. Për sa i përket Kombit Shqiptar, shenjti më i madh që ka nxjerrë është Poeti Kombëtar Naim Frashëri dhe për sa i përket katolicizmit , por jo vetëm ndër shqiptarë, shenjtore kemi Nënë Terezën.
Siç e dini tashmë, me disa ligje tinzare, të Kuvendit të Shqipërisë, sidomos me ligjet 93/2022 dhe ligjet 17/2024 dhe disa ligje në disa dekada, u bë e mundur që Naim Frashëri të largohet “heshtur” në mënyrë tinzare dhe të pabesë dhe ndërkohë të qëndrojë Nënë Tereza. Nuk mund ta themi me siguri se këtë punë e ka bërë Kisha Katolike, por është dukshëm e qartë se është pikërisht Kisha Katolike që përfiton nga kjo skolioze e rëndë e edukimit shpirtëror në shqiptarë. Vendosja e Nënë Terezës para Naim Frashërit është një shëmtim moral, siç do të ishte të vendosnim Nënë Terezën para Jezu Krishtit. Për ata “komunistë” që kanë marrë pjesë në këtë punë, ata nuk e kishin për gjë ta zëvendësonin edhe Jezu Krishtin me Nënë Terezën, veç të kishin urdhër për këtë.
Kjo që kërkojmë nuk është një çështje «katolike», por një «çështje thelbësisht kombëtare shqiptare” me shumë rëndësi për Sistemin Edukativ Kombëtar Shqiptar. Jeni në Vatikan dhe është vendi të diskutoni se nuk duhet të shëmtoni “shenjtërinë” duke pranuar të tilla punë. Letra ime do të rrojë në arkivat dhe ju e dini shumë mirë se sa e rëndësishme është para ndërgjegjes njerëzore që punët që bëjmë sot të rrojnë me shekuj dhe jo të rrojnë saç rron Qeveria përfituese e Edi Ramës, që kërkon të zëvendësojë Naim Frashërin me Ismail Kadarenë apo Nënë Terezën veçse për përfitime politike e duke ngatërruar punë.
Si shkollë që jemi kemi dituri për arritjet e shkollës katolike, për katekizmin e saj të famshëm dhe arritjet në humanizëm, por si shkollë shqipe, kemi dituri edhe për shenjtërinë që na vjen nga myslimanizmi, nga ortodoksët etj. Ndaj detyra jonë është të pasurojmë konstruktin shpirtëror të shqiptarit përmes sintezës dhe përmes harmonisë dhe jo ta varfërojmë për qëllime “sektare”.
Për lexuesin shqiptar! Nuk ka çështje më të rëndësishme shpirtërore në Shqipëri sesa kjo që po përmendim, pra raporti i Naim Frashërit si Poet Kombëtar me Nënë Terezën. Thuajse të gjithë shqiptarët patriotë të krishterë e myslimanë janë pas Naim Frashërit. Kjo është arsyeja që At Gjergj Fishta nderonte Frashëllinjtë tek “Lahuta e Malcis” (kënga 9) apo At Shtjefën Gjeçovi që i këndonte Naimit.
Duke qenë se nderimi shqiptar përmes ligjeve 93/2022 dhe Festave Zyrtare ka marrë një skoliozë në favor të Kishës Katolike dhe në dëm të Edukimit Kombëtar, është detyra juaj të diskutoni dhe ta ndreqni. Vendi është në Vatikan. Shenjtëria nuk vjen veçse me shekuj. Naim Frashëri nuk i vjen më Shqipërisë dhe shqiptarëve.
I nderuar Gjergj Meta, para disa kohës i bëtë share një postimi tonit me vargje nga Naim Frashëri. Po jua vendosim këtu vargjeta e Naim Frashërit që shpërndatë:
Fet’ e besëtë t’i kemi, po të ndarë të mos jemi,
Hoxh’ e xhami e dervishë, priftër’ e kllogjër’ e kishë,
Nderë që kanë ta kenë, po të duan Mëmëdhenë,
Të duan njerëzinë, dhe të tërë Shqipërinë,
Mirësit’ e urtësitë t’i kenë përpara dritë,
Të ken’ udhë njerëzinë, dhe Zot gjithë Perëndinë;
Me dritët të Perëndisë t’i ndihinë Shqipërisë,
E të ngrenë Shqipëtarë të bëhet si ish më parë.
Ndërkohë nga Naimi kemi edhe: Si besojmë Muhamenë, edhe mëmë-Fatimenë, besojm’ ashtu dhe Isanë, dhe Merjemen e Iahjanë, edhe Isufn e Iakupnë, dhe Ibrahimn e Ejupnë, Dautnë e Sylejmanë, Harunë edhe Musanë, edhe të tjer’ e të tjerë, q’ ishinë njerës të-vlerë, se për njerin u përpoqnë, shumë të-këqija hoqnë. Kush punon për njerëzinë, ka me vehte Perëndinë.
Ju, më shumë se kushdo, duhet t’i vlerësoni veprat fetare, sepse në to kalon i njëjti shpirt: shpirti human. Në kombin shqiptar nuk gjendet një i dytë që ta ketë bërë sintezën e besimeve fetare ashtu siç e ka bërë Naim Frashëri. Citojmë “BESA” (Qerbelaja)
Bes’ e mbar’ e Perëndisë, udh’ e mir’ e urtësisë,
është vetëm mirësija, e-vërteta, njerëzija,
zemr’ e-bardhë, shpirt i mirë, me mëshir’e m’ëmbëlsirë,
e-drejta, vëllazërija, dashurija, miqësija.
Gjithë besëtë, që janë, vetëm këtë udhë kanë.
Këtë thotë besa jonë, dhe të tjerat këtë thonë.
Se ndë jetë s’ka dy besë, një ësht’ e një dotë mbesë.
Besë është Perëndija dhe udh’ e saj njerëzija.
Besa jon është një fjalë, dh’ ajo fjalë s’ësht’ e çalë,
është fjal’ e Perëndisë, q’i duhetë njerëzisë,
nukë është fjal’ e kotë, «bëj mirë, mos bëj keq», thotë.
Besa edhe Perëndija është vetëm mirësija.
Dhe ajy Zot i-vërtetë, edhe gjithë ç’ka në jetë,
te njeriu gjithë janë, mos kërko më tjatër anë.
Po të bëjmë mirësinë, kemi ndër ne Perëndinë.
Kur të bëjmë ligësitë, kemi djall e djallëzitë.
Kur të jemi të-vërtetë, është me ne Zoti vetë.
Besa është në kraharuar, nuk është në kartë shkruar.
Çfarë do t’u thoshte një prift katolik besimtarëve për këto vargje?
Sigurisht, nuk ka asnjë mundësi të thotë një fjalë të keqe, por vetëm të shprehë adhurim të lartë, nëse e ka zemrën siç duhet.
Por kush ua hoqi fëmijëve nga duart Naim Frashërin (nënkuptoni, për aq sa kjo është në dorën e ligjit 93/2022)? Kush e shtrembëroi raportin Naim – Nënë Terezë apo raportin me Edukimin Kombëtar etj.? Nuk jemi të sigurt se këtë e ka bërë Kisha Katolike. Por jemi shumë të sigurt se Kisha Katolike është përfituesja, sepse tani kemi vetëm Nënë Terezën dhe nuk e kemi Naim Frashërin. Në një kuptim, me këtë lëvizje e keni shpërfytyruar vetë Gonxhe Bojaxhiun. Ajo lindi nga një komb shqiptar i gjallë, energjik, i lirë, me fantazi, kreativ edhe në çështjet fetare.
Nëse lejohet kjo skoliozë shpirtërore ju i thoni «Shpirtit të Nënë Terezës»: «Tek ti shohim vetëm mësimet e katekizmit katolik» dhe nuk shohim shpirtin e «kombit shqiptar». Ja, ky është dëmi që i bëni Nënë Terezës dhe, sigurisht, edhe më të madh ua bëni shqiptarëve.
DISKUTONI PËR NAIMIN! Diskutoni për raportin e Naimit me Nënë Terezën.

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne