Prej orës 18:00 vijon protesta e dytë në kryeqytet pas vrasjes së të riut Klodian Rasha, i cili dy ditë më parë theu orën policore dhe nuk iu bind urdhrit të policit për të ndalur, veprim që e pagoi me jetën e tij, policia ka ndërmarrë të gjitha masat për t’iu paraprirë çdo situate të mundshme.

Protestuesit e mbledhur para Ministrisë së Brendshme, por edhe pikë të tjera të qendrës së kryeqytetit kanë qëlluar me gurë efektivët e policisë dhe kanë shkulur pemë dekorative po ashtu i kanë vënë zjarrin dhe shumë koshave të mbeturinave.

Siç shihet dhe nga fotot e siguruara nga gazetarja Dorjana Bezat për ‘BalkanWeb’, në Kryeministri janë stacionuar dhe autoblindat e policisë. Po ashtu Bezat raporton se në terren ditën e sotme të angazhuar në ruajtjen e sigurisë sot në protestë kanë qenë rreth 800 punonjës policie, ndërsa tubimi ka nisur nga Ministria e Brendshme. Mësohet se policët kanë marrë direktiva të qarta që të mos bien pre e provokimeve në protestë, ndërsa qytetarëve iu është bërë thirrje që të shmangin tubime të tilla, pasi është e ndaluar në këtë kohë pandemie.

Ora 18:24- Qetësohet situata tek ministria e Brendshme pas konfrontimit të parë. Duket se ka një tërheqje të protestuesve. Gazetari Erjon Skëndaj raportoi se një pjesë e protestuesve është larguar nga Ministria e Brendshme dhe i është drejtuar Rrugës së Durrësit.

Gaz lotsjellës, të shara e përplasje, ja çfarë po ndodh në protestë
Ora 18: 15- Konfrontime mes protestuesve dhe policisë. Protestuesit kanë hedhur sende të forta mbi efektivët, ndërkaq policia është përgjigjur me gaz lotsjellës.

Nis protesta, qytetarët qëllojnë me gurë policinë
Ora 18:02- Ka nisur protesta e dytë e paralajmëruar për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, mëngjesin e 8 dhjetorit në Tiranë. Protestuesit e mbledhur tek Ministria e Brendshme kanë qëlluar me gurë mbi policët e bërë gardh për mbrojtjen e institucioneve dhe kanë shkulur disa pemë dekorative. Pavarësisht shiut që ka nisur, protestuesit janë të shumtë dhe të shpërndarë në disa pika.

Protestuesit mblidhen përballë Ministrisë së Brendshme
Ora 17:45- Nis grumbullimi i protestuesve përballa Ministrisë së Brendshme. Me pankarta në duar ata kanë nisur të aktivizohen për protestën e paralajmëruar në orën 18:00.

  • foto galeri
  • foto galeri

Dje për 5 orë me radhë u mbajt një protestë, e cila u shoqërua me dhunë dhe përplasje. Irritimi dhe zemërimi qytetar për ngjarjen në fjalë u zbraz mbi institucionet e vendit, ku qindra të rinj që dolën në protestë nuk kursyen asgjë.

  • foto galeri
  • foto galeri

Ata sulmuan dyert e dritaret e ministrisë së Brendshme fillimisht, për të vijuar me Kryeministrinë, e sheshin “Skënderbej”. Pas ngjarjes mbetën të plagosën 16 policë, njëri prej tyre në gjendje më të rëndë, pasi rrezikon të humbasë njërin sy. Policia arrestoi tre personat e proceduar 7 të tjerë, mes tyre edhe reperin Stresi, por këto masa dhe paralajmërimet policore duket se nuk do i ndalin protestuesit. Kujtojmë se në këtë orë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar në dalje për mediat, ku do të japë qëndrimin e tij në lidhje me ngjarjen e rëndë.