Ditari i burgut, Fatos Lubonja fiton çmimin letrar në Itali

Publicisti e shkrimtari Fatos Lubonja nderohet me një tjetër çmim të rëndësishëm letrar në Itali. Libri i Lubonjës “Në vitin e shtatëmbëdhjetë”, ditari i vitit të shtatëmbëdhjetë të burgut, i botuar në Itali me titullin “Diario di un intelletuale in un gulag albanese” (Marco Editore), është shpallur fitues i çmimit letrar “Benevento Braille”.

lubonja

Një libër i konsideruar si një migrim për të mbijetuar, që i rrinte më së miri temës së përzgjedhur për këtë edicion nga organizatorët. Louis Braille është themeluesi i alfabetit të të verbërve. Çmimi ka lindur nga vullneti për të ndarë me të verbrit emocionet që jep një tekst letrar. E veçanta e këtij çmimi qëndron edhe në mënyrën sesi ai zgjidhet.

Çdo vit përcaktohet një temë dhe të gjitha prurjet shqyrtohen dhe votohen nga një komision i përbërë nga 12 personalitete të letrave. Tema e këtij viti ishte “Migranti nell anima” (Të migrosh në shpirt) dhe pjesëmarrës në këtë garë u bë edhe Lubonja. “Është një temë e zgjedhur për të sensibilizuar dhe për të nxitur refleksionin për ta konsideruar secilin prej nesh migrant, vullnetar ose jo. Një i verbër është migrant që në momentin kur del nga shtëpia e tij”, shpjegon Presidenti i çmimit, Dario D’Aurias.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Në një interviste për “Il Mattino” të Beneventos, ai u shpreh se “libri është propozuar pikërisht për forcën përshkruese të një migrimi të detyruar të mendjes për t’u shpëtuar kushteve absurde të burgimit. Fatos Lubonja u burgos kur ishte 19 vjeç, në Shqipëri, vetëm sepse regjimi diktatorial pretendonte të vendoste pushtetin absolut mbi lirinë intelektuale. U burgos për 17 vjet.

lunonja1

Ditari i tij ishte një migrim, ndoshta për të mos u çmendur, por sigurisht, jo për të shitur libra”. Duke folur mbi vlerat dhe rëndësinë e librit, ai u shpreh se “në një libër, mjaftojnë edhe disa rreshta për të ngjallur emocione dhe reflektime që mbesin e që reflektohen në botën e lexuesit. Në këtë libër ka shumë të tilla”. Ai e quan Lubonjën “Një hero jo vetëm për atë që ka jetuar, por edhe për atë që ka komunikuar”.

Ceremonia e dhënies së çmimit, në këtë edicion të tretë, u zhvillua më 21 qershor në Museo del Sannio të Beneventos. Gjatë ceremonisë u lexuan disa pjesë nga libri i autorit. Është hera e dytë që ky libër i jep Lubonjës një çmim në Itali. Në 2002, për këtë libër Lubonja mori çmimin letrar “Alberto Moravia”. Paraditen e dhënies së çmimit, Lubonja u prit nga kryetari i bashkisë, Mastella dhe bëri një vizitë në universitetin e Beneventos./PANORAMA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne