Shqiperia

Ditmir Bushati kritikon sërish Ramën: Po bëhet gabim fatal me vendimin e Holandës për vizat

Ish-ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, është bërë sërish “delja e zezë” në radhët e Partisë Socialiste, duke kritikuar kësaj radhe qëndrimin e mazhorancës lidhur me vendimin e Parlamentit të Holandës, i cili votoi me një shumicë prej 105 votash rikthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë. Bushati e ka konsideruar gabim fatal etiketimin e Holandës si një vend racist ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, teksa bën thirrje për të reflektuar mbi mesazhin që vjen prej vendimit të legjislativit holandez. “Por do të ishte gabim fatal që ta vizatonim Hollandën, anëtare themeluese e kontribuese kyçe në BE, mbështetëse e aspiratës europiane të Shqipërisë, si një vend racist ndaj nesh apo si një vend ku gëlon krimi e prostitucioni. Do të ishte mendjelehtësi gjithashtu të injoronim mesazhin që vjen prej kësaj nisme të Parlamentit hollandez, edhe pse e padrejtë dhe në mungesë të kritereve të përcaktuara nga vetë BE-ja.”- shkruan ish-kreu i diplomacisë shqiptare në një postim në llogarinë e tij personale në “Facebook”.

Sipas Bushatit, probabiliteti për pezullimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve është thuajse zero, por pavarësisht kësaj, ai ka kërkuar që mazhoranca të mos e neglizhojë vendimin që Kuvendi i Holandës pritet t’ia komunikojë në rrugë zyrtare Komisionit Evropian. “Shqipëria edhe pse ka shumë sfida në betejën me krimin e organizuar dhe korrupsionin i përmbush kriteret e përcaktuara sipas vlerësimeve të Komisionit Europian… Të drejtën tonë duhet të vazhdojmë ta demonstrojmë me vendosmëri përmes rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duke shtuar angazhimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar me organet e specializuara, me Komisionin Europian dhe me vendet anëtare të BE-së. Sepse në asnjë rast nuk duhet të harrojmë që jemi ne që po trokasim në dyert gjithnjë e më vështirë të penetrueshme të BE-së dhe jo e kundërta.”- sugjeron ish-ministri.

Më herët, në seancën parlamentare të së enjtes, kryeministri Edi Rama e komentoi vendimin e organit ligjvënës të Holandës, si një politikë të motivuar nga qëllime të brendshme elektorale. “Nëse ata kanë arritur në konkluzionin, që, duke i bërë shqiptarët gogol marrin më shumë vota, se do t’i mbrojnë njerëzit nga gogoli që ata e krijojnë vetë, kjo është politikë e tyre.”- ka reaguar kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij në Parlament.

OPINIONE