Djegia e mandateve/ Ministrja e Ramës: Disa vandalë duan të rikthejnë ‘97

Opozita shqiptare ka zgjedhur të jetë zyrtarisht jashtë Parlamentit dhe aksionin e saj e ka përqendruar në takime më qytetarët dhe në sheshet e protestës pas djegies së mandateve të deputetëve.

Por, duket se ky vendim ekstrem i opozitës ka krijuar një klimë aspak të qetë në PS dhe shumicën qeverisëse.

Pavarësisht deklaratave të kryeministrit Edi Rama se do të vijojë të qeverisë pa u shqetësuar për rivalët por vetëm për qytetarët, ministrat dhe deputetët e tij duken në ankth nga kriza politike që ka mbërthyer vendin.

Thirrjes së Elisa Spiropalit dhe Taulant Ballës për ta hedhur këtë opozitë në kosh dhe për të burgosur me drejtësinë e re liderët e saj vrasës e të korruptuar sot i është shtuar edhe një deklaratë e Olta Xhaçkës nga Dibra, ku thotë se disa vandalë duan të rikthejnë vitin 1997.

Duke garantuar qytetarët nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme në vend, ministrja e Mbrojtjes ka shpërthyer në kritika kundër aksioneve të opozitës.

“Ti tregojmë opozitës dhe partnerëve tanë ndërkombëtar që duan përparimin dhe integrimin e Shqipërisë janë shumë më shumë se ata vandalë që duan që Shqipëria të bëjë hapa mbrapa dhe që Shqipërinë ta persekutojë ende hija e vitit 1997”, tha ajo.

Ndërkohë, sekretari organizativ i PS-së Arben Pëllumbi iu kërkoi socialistëve që të vijojnë punën përgatitore për zgjedhjet vendore të 30 Qershorit.

“Ne do t’i fitojmë të 61 bashkitë e vendit.  Përfaqësuesit e PS se socialistët janë të vendosur që të mos lejojnë askënd të marrë peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, u shpreh ai.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne