Dobruna, fshati i Hasit i harruar nga politika 27 vjeçare

I ndodhur qindra kilometra larg kryeqytetit, dhe dhjetëra kilometra nga Kukësi fshati Dobrunë ndodhet në kufi me Kosovën, në hapsirën e Bashkisë Has, dhe në njësinë territoriale Golaj.

Dobruna ndodhet 7 kilometra nga Golajt, dhe është fshat me një natyrë dhe bukuri të madhe natyrore, por që është harruar nga politika 27 vjeçare qeverisëse si qendrore ashtu dhe lokale.

Banorët e Dobrunës janë të pakët pasi varfëria ka detyruar shumë familje të lënë tokat dhe shtëpitë e tyre dhe për një jetë më të mirë ti drejtohen qendrave urbane në kërkim të shpresës për të mbijetuar, edhe ato pak banorë të mbetur vuajnë nga mungesa e më të dashurve të tyre, të cilët janë detyruar të marrin rrugën e emigrimit për të siguruar jetesën e familjes së tyre.

E përveç këtyre gjërave, banorët e Dobrunës përballen edhe me një infrastrukturë rrugore që të ngjan me kohën e mesjetës. 7 kilometra rrugë pothuajse të pakalueshme, bëjnë banorët e Dobrunës çdo ditë duke udhëtuar për në qytetin më të afërt që është Kruma, qendra e Hasit.

Në Dobrunë është aktive një shkollë fillore, me kushte skandaloze, që do skandalizonte gjithkënd që hedh një sy brenda kësaj shkolle, që të paktën 10 vitet e fundit nuk është bërë qoftë një investim i vetëm.

Rruga që lidh Golajt dhe Dobrunën shpeshherë është e pakalueshme gjatë kohës së dimrit duke sjellë probleme madhore në qarkullim, dhe duke ndërprerë procesin mësimor të fëmijëve që mësojnë në shkollën e Mesme të Golajve dhe në Krumë.

Ish-komuna Golaj, e tanimë Bashkia Has nuk kanë bërë asnjë investim për tu ardhur në ndihmë këtyre banorëve të harruar nga të gjitha forcat politike, edhe pse çdo fushatë lokale dhe qendrore premtimin e parë për këta banorë e kanë rrugën, por që është një premtim i ndryshkur tanimë në sirtarët e bashkisë Has.

Një problem tjetër që hasin banorët e Dobrunës është edhe pika kufitare me Kosovën, “Qafë-Dobrunë”, e cila lidh Gjakovën dhe Dobrunën, e që është jo më larg se 2 kilometra nga qendra e fshatit.

Hapja e kësaj pike kufitare do të sillte mrekullinë për këta banorë,pasi kjo pikë do të mundësonte lidhjen mes Hasit dhe Kosovës, dhe këta banorë do të përfitonin mjaft nga ky kalim transit.

Mimoza Kusari Lila, Kryetare e Komunës së Gjakovës disa herë ka premtuar se në bashkëpunim me qeverinë shqiptare do të hapte këtë pikë kufitare, madje Kusari Lila ka filluar edhe asfaltimin e rrugës Goden-Gjakovë, edhe pse në fshatin Goden në kufi me Dobrunën janë një numër shumë i vogël banorësh.

Por siç duket me tërë insistimin e Kusari-Lilës qeveria shqiptare nuk është e interesuar për të hapur këtë pikë kufitare.

Sezoni i gjatë i dimrit në Dobrunë bën që këta banorë të përballen me kushte të rënda jetese, kjo për shkak të vështirësisë së pushtetit lokal për të ndërhyrë në rrugën Golaj-Dobrunë për shkak të terrenit të thyer malor.// Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne