Bota

Dokumentet sekrete/ Lidhja e CIA-s me mafian e New York-ut për të vrarë Fidel Kastron

Marrëveshjet e CIA-s me mafiozë, pilula helmuese dhe një regjistrim në një hotel të Las Vegasit, janë pjesë e një dokumenti, mes mijëra të tjerëve në dosje e dala së fundmi për vrasjen e John Fitzgerald Kennedy, ku përshkruhen me detaje përpjekjet për të vrarë liderin kuban, Fidel Castro.

Në të paktën dy tentativa për vrasjen e Castros në fillim të vitit 1961, pilulat vdekjeprurëse të CIA-s duhej të mbërrinin në Kubë përmes kriminelëve, dorëzoheshin dikujt që mund t’i hidhte tabletat në pijet e Castros, sipas një memoje të CIA të majit 1962.

CIA ofroi 150,000 dollarë për të përfunduar këtë punë, por Mafia tha se do ta bënte falas.

Ekziston një shënim i CIA-s që tabletat janë dhënë, por është e paqartë nëse kanë mbërritur në Kubë.

Vëllai i John F. Kennedy, në atë kohë Prokuror i Përgjithshëm, Robert Kennedy, nuk ishte aspak i kënaqur me këto marrëveshje të errëta me mafian, dhe urdhëroi CIA-n “që kurrë më të mos ndërmerrte hapa të tilla, pa u konsultuar me Departamentin e Drejtësisë”.

Si pjesë e planit, CIA kërkoi ndihmën e bosit të mafias të Çikagos, Sam “Momo” Giancana dhe killerit të paguar prej tij, John Rosselli. Edhe pse ata mohuan pagesën, të paktën $ 11,000 iu dhanë për shpenzime.

CIA u lidh me Giancanan në vjeshtën e vitit 1960, kur kërkoi nga një ndërmjetës i CIA-s që të vendoste një aparat përgjimi në dhomën e një shoqërueseje, që në atë kohë ishte në Las Vegas.

Mendohej se gruaja ishte dashnorja e Giancanas dhe ai mendonte se ajo po e tradhëtonte me një tjetër.

Nëse pajisja përgjuese nuk instalohej, bosi i mafias kish në plan të shkonte vetë në Las Vegas-duke ndërprerë marrëdhënien e CIA-s me të “në një moment shumë kritik”, thoshte në dokument një oficer i CIA-s. Një përgjues u vendos në telefonin e dhomës, që më pas u zbulua nga policia.

Robert Kennedy tha se ky incident ishte i rrezikshëm sepse “do të ishte shumë e vështirë të niste një hetim ndaj Giancanas, pasi ai menjëherë do të tregonte faktin që qeveria e SHBA i ishte qasur për të organizuar vrasjen e Castros”.

Castro jetoi deri 90 vjeç, duke u shpëtuar disa atentateve dhe ishte një nga udhëheqësit më jetëgjatë në botë. / Bota.al

OPINIONE