Historia

Dollia në Tiranë, që futi në sherr Titon, Molotovin dhe Stalinin

NGA MARK BRUNGA

Një lidhëse kushtore (në qoftë se) e shprehur nga një “çinovnik” [nëpunës] i vogël, paralajmëron çarjen e madhe përtej “perdes së hekurt”. Të jesh punonjës legate në një vend të humbur të perandorisë komuniste në vitin 1948, si Shqipëria, dhe të “shkëlqesh” me një batutë në majat më të larta të regjimeve të fuqishme të Moskës dhe Beogradit.

Kështu ka ndodhur me sekretarin e parë të misionit të BRSS në Shqipëri A. Gagarinov, bashkëbiseduesi i udhëheqësit të njohur komunist shqiptar Nako Spiru (1918-1947). Pas vdekjes enigmatike të nënkryeministrit, ministrit të ekonomisë dhe drejtuesit të rinisë komuniste më 20 nëntor 1947, që u braktis nga nëpunësi i legatës sovjetike, në vend që të ndëshkohej, pas 4 muajsh, Gagarinov bëhet protagonist në një ceremoni rutinë festive për përvjetorin e ushtrisë së kuqe.

NË QOFTË SE…
Në një pritje në Tiranë me rastin e 30-vjetorit të Ushtrisë Sovjetike, më 23 shkurt 1948, i ngarkuari me punë i BRSS në Shqipëri A. Gagarinov ngriti dolli “për shokun Titon, në qoftë se ai punon për fuqizimin dhe unitetin e bllokut demokratik”. I dërguari jugosllav, që ishte i pranishëm, reagoi menjëherë, duke deklaruar se për “shëndetin e Titos mund të pihet, por pa kurrfarë aludimesh”. Ky incident bëhet publik në vitin 1953 nga V. Dedijer në librin biografik kushtuar Josip Broz Titos. Por në Rusi janë deklasifikuar dokumente që hedhin dritë për përmasat e një sherri të madh për çështjen e titulluar “Dollia e Gagarinovit”.

Kështu, “kumbullat që hëngri” numri 2 i misionit sovjetik në kryeqytetin shqiptar, “u mpiu dhëmbët” shefave të mëdhenj të regjimeve të Moskës dhe Beogradit, J. B. Titos (1892-1980), V. M. Molotovit (1890-1986, në atë kohë ministër i punëve të jashtme i BS, dita e varrimit të tij, më 12.11. 1986, u shpall nga Enver Hoxha ditë zie kombëtare) deri dhe J. V. Stalin (1879-1953). Por incidenti inkuadrohet dhe në fërkimet e para mes Bashkimit Sovjetik dhe Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, që pas pak muajsh do të zvetënoheshin deri në prishje përfundimtare të dy partive të mëdha komuniste.

“INCIDENT”?
Josip Gjergjia rrëfeu për një “incident” diplomatik, që kishte ndodhur në misionin shqiptar në Beograd në pritjen e dhënë për nder të Enver Hoxhës, ku ishte ftuar dhe Titoja, i cili nuk erdhi për arsye sigurimi. Kështu kishte njoftuar, sipas Enver Hoxhës, Josip Gjergjia..

Josip Gjergjia i tregon të dërguarit të BS në Tiranë: “U ngritën shumë dolli. Më në fund, e mori fjalën Enver Hoxha. Ai tha se propozon të ngriheshin shëndete për të gjithë popujt përparimtarë, demokratikë, por “gjithashtu dhe për Francën. Ambasadori francez në Beograd, që ishte i pranishëm në këtë ceremoni, Zhan Pajar (Jean Payard), që i kishte ikur gjaku në fytyrë nga zemërimi, protestoi dhe gjoja, duke iu drejtuar Enver Hoxhës, e pyeti: “Përse ‘gjithashtu për Francën’?”

Gjithë “incidenti”, sipas Gjergjias, u mbyll këtu. Enver Hoxha gjoja, pasi e pa që kishte folur pa takt, e ndreqi disi, pasi propozoi të të ngrihej dolli për traditat revolucionare të popullit francez”, raporton në Moskë D. Çuvahini.

Por diplomati i stërvitur sovjetik, me sa duket, nuk e beson Gjergjian përderisa ironizon me stilemën e thonjëzave “incidenti” apo me frazën “gjoja, duke iu drejtuar Enver Hoxhës”. Nuk mund të gjykohet sot se kush thotë të vërtetën Gjergjia apo Çuvahini, teksa ky i fundit ishte dhe një mik personal i Hoxhës.

PËRGJIGJE E HOLLË
Më 11 mars 1948, J. B. Tito priti A. Lavrentjevin (1904-1984, ambasador i BRSS në Jugosllavi në vitet 1946-1949) dhe shtroi para tij një numër problemesh për t’iu transmetuar zyrtarisht qeverisë sovjetike. Bëhej fjalë për marrëveshjen tregtare mes BRSS-së dhe Jugosllavisë, për “dollinë e Gagarinovit” dhe për ngritjen e flotës luftarake-detare në Jugosllavi.

Lidhur me problemet e paraqitura nga J. B. Titoja, V. Molotovi ngarkoi A. Lavrentjevin t’i transmetonte më 13 mars udhëheqësit jugosllav sqarimet e palës sovjetike. Një javë më pas, më 18 mars 1948, J. B. Tito i dërgon Molotovit një letër sekrete lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes tregtare me BRSS, vendosjen e raporteve të kursit të dinarit dhe rublës dhe furnizimet ushtarake të BRSS në Jugosllavi. Dhe si pikë të parë trajton çështjen e “Dollisë së Gagarinovit”!

Mareshali shkruan: “Pasi u verifikuan faktet, që kanë të bëjnë me telegramin tuaj, mund të jepet kjo përgjigje: 1. Lidhur me deklaratën e Gagarinovit qeveria [jugosllave] ka parasysh shpjegimin e shtjelluar në telegramin Tuaj, dhe vë në dukje se, për sa u përket përfaqësuesve jugosllavë, prej të cilëve qeveria mori informacionin, – nuk mund të bëhet fjalë për shpifje”.

Është një përgjigje të hollë e Titos ndaj aludimit të Molotovit se “dollia e Gagarinovit në Shqipëri është keqkuptim ose shpifje”. Letra e Titos i është dorëzuar Molotovit, më 24 mars 1948, nga ambasadori jugosllav V. Popoviç (1914-1972).

ROLI I BUDALLAIT
Por këtë vërejtje elegante të Beogradit nuk e kanë kuptuar, apo kanë bërë rolin e budallait eprori i drejtpërdrejtë i Gagarinovit, ministri i Jashtëm Molotov, dhe Stalini. Është interesante se më 27 mars 1948 në një letër drejtuar “Shokut Tito dhe anëtarëve të tjerë të KQ të Partisë Komuniste të Jugosllavisë”, emri i Molotovit qëndron përpara atij të Stalinit dhe se letra bëhet me porosi të komitetit qendror të Partisë Komuniste Pan-Ruse bolshevike. Dy figurat qendrore të Kremlinit shkruajnë:

“Letrat tuaja të përgjigjes së 18 dhe 20 marsit u morën. Përgjigjen tuaj e konsiderojmë të gabuar dhe për pasojë krejtësisht të pakënaqshme. 1. Çështja Gagarinov mund të konsiderohet e rrëzuar, përderisa ju hoqët dorë nga akuzat lidhur me Gagarinovin, ndonëse ne vazhdojmë të mendojmë se këtu është shpifur ndaj Gagarinovit”.
Sikurse u citua më sipër, Titoja më 18 mars bën të qartë se “për sa u përket përfaqësuesve jugosllavë, prej të cilëve qeveria mori informacionin, – nuk mund të bëhet fjalë për shpifje”.

Enver Hoxha: Asnjë diskutim serioz me diplomatët Rusë
Me diplomatët e Stalinit në Tiranë në vitet 1946-1949 nuk mund të bëhej “asnjë diskutim serioz”. Stalinisti i fundit në Evropë, Enver Hoxha, është i pezmatuar me përfaqësuesit e Kremlinit. Shefi i regjimit të Tiranës thotë se marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik e PK të BS gjer në këtë kohë, 1947, realizoheshin kryesisht nëpërmjet ambasadës (më saktë: “legatës”, “misionit”. Vetëm pas vdekjes së Stalinit, në gusht të vitit 1953, marrëdhëniet diplomatike Shqipëri – BS u ngritën në nivel ambasade).

Enver Hoxha i konsideron diplomatët sovjetikë si “njerëz të mirë”, por që “ishin vetëm “nëpunës” që nuk nxirrnin nga goja asnjë fjalë”. Lideri shqiptar është i pakënaqur me faktin se përfaqësuesit e Moskës u largoheshin “si ujku nga zjarri” bisedave për qëndrimet e jugosllavëve ndaj shqiptarëve. Enver Hoxha, pak kohë para vdekjes, në vitin 1982, konstaton në librin “Titistët” se sovjetikët nuk e panë me vend të përziheshin në çështjen e kontradiktave të Nako Spirus me Koçi Xoxen dhe jugosllavët.

Konsiderata jo të mira për sovjetikët ka dhënë dhe në librin “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë se re” (1984), ku ka sulmuar ashpër shefin e misionit ushtarak sovjetik pranë Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë partizane, majorin Konstantin Ivanov, dhe pse e kishte dekoruar në vitin 1945. Te “Titistët”, 1982, shkruan se “majori Ivanov gjynah që përfaqësonte një ushtri të tillë si Ushtria e Kuqe. Ishte tip i zgjuar, finok e, siç u duk më pas, edhe ai kishte ardhur me mision ushtarak, por dhe me të tjera, “speciale””.

Megjithëse në vitin 1979 kishte botuar një libër të tërë me panegjirikë për Stalinin, në vitin 1982, ai shkruante me mllef se Bashkimi Sovjetik po e njihte Shqipërinë me syzet e shefit të misionit ushtarak jugosllavë pranë shtabit të Përgjithshëm Velimir Stojniç (1916-1990) dhe jo vetëm në prag të Çlirimit, por edhe disa vjet më pas”.

Sipas Enver Hoxhës, Shqipëria nuk pati asnjë përfitim nga Ivanovi, asnjë informacion të saktë nuk jepte dhe, kur e pyesnin për diçka ose i kërkonin ndonjë mendim, e vetmja përgjigje e tij ishte: “Do të vë Moskën në korrent me anën e radios”.

Ivanovi e dinte që shqiptarët kishin nevojë edhe për armë e për furnizime ushtarake, por asnjëherë nuk punoi radioja e tij për t’i transmetuar komandës sovjetike nevojat e shqiptarëve dhe asgjë nuk erdhi që andej, thotë me mllef lideri shqiptar pak para vdekjes, në vitin 1984.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

OPINIONE

INTERVISTA