Dorëheqja e shefit të policisë së Tel Avivit shkakton protesta dhe përleshje në Izrael

Dorëheqja e shefit të policisë së Tel Avivit ka shkaktuar protesta dhe përleshje të gjera në të gjithë vendin, veçanërisht në Tel Aviv, transmeton Anadolu.

Duke njoftuar dorëheqjen e tij në një konferencë për media, Ami Eshed, përmendi presionin e ministrit të Sigurisë Kombëtare të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir dhe tha se ai nuk arriti të përmbushë pritjet e ministrit pasi nuk sfidoi rregullat, protokollet, strukturën organizative dhe kulturën.

“Unë po paguan një çmim të rëndë për të parandaluar luftën civile”, tha Eshed.

Eshed ishte shkarkuar më parë për ndërhyrjen e tij të butë gjatë protestave disamujore në Tel Aviv kundër marrëveshjes gjyqësore të diskutueshme të qeverisë, por më vonë u rivendos nga Ben-Gvir.

Eshed pranoi se ata kishin opsion për ta hapur me forcë autostradën Ayalon, arteria kryesore e Tel Avivit që u bllokua nga protestuesit. Ai shtoi se zgjodhi të mos marrë atë rrugë veprimi.

Menjëherë pas njoftimit të dorëheqjes së tij, mijëra njerëz dolën në rrugët e Tel Avivit në shenjë proteste. Demonstruesit bllokuan autostradën Ayalon në të dy drejtimet për orë të tëra, duke përdorur flamuj izraelitë dhe duke vendosur zjarre dhe fishekzjarrë në rrugë.

Policia izraelite ndërhyri duke përdorur topa uji.

Në një rast shpërtheu një konfrontim midis një shoferi, i cili u përpoq të kalonte mes protestuesve, pasi ishte bllokuar në trafik. Mësohet se policia ndaloi shoferin.

Demonstratat në Kudsin Perëndimor u përqendruan rreth sheshit të Parisit, i vendosur pranë rezidencës së kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Sipas raporteve nga mediat izraelite, grupet e protestës anti-qeveritare u mobilizuan në rreth 30 lokacione në mbarë vendin. Të paktën 25 persona janë arrestuar nga policia, përfshirë 15 në Tel Aviv./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne