Dorëzohet Ilir Meta, i jep qeverisë autorizimin për ndarjen e detit

Mësohet se Presidenti Ilir Meta, i ka dhënë autorizimin qeverisë, për nisjen e negociatave për ndarjen e kufirit detar me Greqinë.

Duket se pas dy refuzimeve për dhënien e autorizmit, Meta është dorëzuar, duke firmosur kështu hapjen e negociatave me Greqinë, për një çështje mjaft të ndjeshme.

Nuk dihet se çfarë ndryshoi në qëndrimin e presidentit, apo cilat  garanci  i janë paraqitur atij.

Kjo lëvizje e Presidentit zhbllokon jo vetëm bisedimet mes Tiranës dhe Athinës për një sërë çështjesh në diskutim, por edhe vizitën e kryeministrit grek Tsipras në Shqipëri,  vizitë kjo e shumëpritur nga kryeministri Rama.

Duket se mardhënia e acaruar mes Presidentit dhe qeverisë ka marrë fund, që prej vizitës së kryeministrit Rama, në Presidencë. Edhe forca politike e drejtuar nga bashkëshortja e Presidentit, duket se i ka ulur tonet ndjeshem kundër qeverisë. Dashuria mes Ramës dhe Metës, mund të ketë hyrë në një fazë të re. E sigurtë është se deti do të ndahet me qetësi dhe dashuri…

NJOFTIMI I PRESIDENCËS

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në mbështetje të nenit 92 gërma “ë”, nenit 116, nenit 121 pika 1, nenit 132 të Kushtetutës; Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë; Nenit 6 pika 3, shkronja “a” të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, në vijim të kërkesës të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme autorizoi sot Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z.Ditmir Bushati, të lëshojë Plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrit të brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne