Dorina Lamaj në tubimin për mbrojtjen e familjes: “Familja është burri, gruaja dhe fëmijët – Kushtetuta është e qartë

Avokatja Dorina Lamaj mbajti një fjalim të drejtpërdrejtë dhe të vendosur gjatë tubimit të zhvilluar dje në Tiranë në mbështetje të vlerave tradicionale familjare. Ajo theksoi se protesta kishte si qëllim mbrojtjen e konceptit kushtetues të familjes, e cila përkufizohet si bashkimi i burrit, gruas dhe fëmijëve.

“Po protestojmë për të mbrojtur familjen që përbëhet nga burri, gruaja dhe fëmijët. Kushtetuta shqiptare e mbron familjen dhe e përcakton atë si bazë të shoqërisë,” deklaroi Lamaj. Në fjalën e saj, ajo ngriti shqetësimin për promovimin në shkolla të termave si “prindi 1” dhe “prindi 2”, duke i cilësuar këto si shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese dhe larg realitetit shqiptar.

“Promovimi i këtyre koncepteve në sistemin arsimor është një shkelje themelore e Kushtetutës. Po dëmtohet modeli natyror dhe ligjor i familjes që mbështet rritjen dhe edukimin e fëmijëve,” theksoi avokatja. Lamaj shtoi gjithashtu se pjesëmarrësit në protestë janë kundër promovimit të ideologjive LGBT në institucionet publike dhe arsimore, duke theksuar se fëmijët duhet të rriten në përputhje me vlerat kulturore, familjare dhe morale të vendit.

“Ne jemi kundër promovimit të ideologjive LGBT në shkolla dhe në hapësirat publike, sepse ato nuk përfaqësojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar shoqëria shqiptare,” u shpreh ajo. Tubimi mblodhi qindra qytetarë që kërkuan ruajtjen e strukturës tradicionale të familjes dhe mbrojtjen e saj nga çdo ndërhyrje që bie ndesh me rendin ligjor, moral dhe kulturor të vendit./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne