Dosja e Fredi Belerit për masakrën e Peshkëpisë është zhdukur

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi është shprehur se dosja e kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri për çështjen e masakrës së Peshkëpisë është mbyllur një vit më parë për shkak se Greqia nuk iu përgjigj letër porosive të autoriteteve shqiptare.

Ai theksoi se dosja është zhdukur nga arkiva e Gjykatës së Tiranës dhe i kërkoi SPAK të hetojë çështjen.

“Rasti i Belerit po trajtohet nga SPAK sepse ka të bëjë me krimet zgjedhore. Por më bën përshtypje një gjë, ka pasur një akuzë zyrtare dhe për çështjen e masakrës së Peshkëpisë dhe dosja është mbyllur para një viti. Arsyeja mbylljes ishte sepse Greqia nuk iu përgjigj asnjëherë letër porosisë.

Është zhdukur dosja e z. Beleri në Gjykatën e Tiranës, në arshivën e saj. Drejtësia apo ofiqarët e Greqisë para se të kërcënojnë integrimin e Shqipërisë duhet t’i drejtohen gjyqësorit të tyre për të kthyer përgjigje autoriteteve shqiptare. E ftoj SPAK-un në këtë rast të hetojë, se si u zhduk dosja e z. Beleri nga arkiva e Gjykatës së Tiranës”, tha ai i ftuar në News24.

Shpëtim Idrizi theksoi se ndërhyrjet e Greqisë në Shqipëri janë shkelje e dinjitetit, referuar protestës së thirrur ditën e sotme (14 gusht) për burgosjen e Fredi Beleri, ku do jetë i pranishëm edhe kryebashkiaku i Athinës.

“Ndërhyrja e Athinës në Shqipëri ka të bëjë me shkeljen e dinjitetit, sovranitetit dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. E keni parë retorikën e z. Beleri, e cila nuk është e rastësishme. Filloi duke thënë se shqiptarët vijnë nga Kaukazi, filloi të fliste për helenizimin e Jugut, ndërkohë që të gjithë e dinë se Himara nuk është zonë minoritare sepse Shqipëria i ka përcaktuar këto zona që në kohën e Mbretit Zog. Nuk mundesh dot të bësh zonë minoritare e cila është shumë brenda territorit shqiptar.

Himara nuk ka asnjë kontinuitet tokësor me Greqinë. Çamëria ka kontinuitet tokësor me Shqipërinë. Ka ca koncepte të tilla që tregon se kur të drejtat individuale kthehen në të drejta kolektive.

Ku i ka pronat greke ky? Pronat greke janë në Greqi. Është zgjedhur ky personazh për të rikthyer tensionet”, tha ai/Panorama

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne