Drafti/ Rama i heq Presidentit të drejtën e shpërndarjes së Kuvendit, reagon Meta: Janë puçistë!

Mazhoranca ka hartuar një projektligj ku i merr Presidentit të Republikës të gjitha kompetencat, duke i lënë alternativë vetëm të firmos çdo gjë që i shkon nga qeveria dhe Kuvendi. Më kryesorja është heqja e çdo të drejte në lidhje me gjyqtarët dhe anëtarët e KLGJ-së. Meta e ka quajtur këtë iniciativë “një përpjekje puçiste”. Ja çfarë propozohet konkretisht nga mazhoranca:

Zgjedhja e anëtarëve të Drejtësisë

Mazhoranca në përpjekje për të kontrolluar kupolën e Drejtësisë, ka prishur ekuilibrin në zgjedhjen e anëtarëve të gjykatave. Projektligji përcakton se “Dekreti i Presidentit të Republikës për mosemërimin e kandidatit për gjyqtar të Gjykatës së Lartë humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në këtë rast, si dhe kur Presidenti nuk shprehet, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor”. Kujtojmë se Gjykata e Lartë vazhdon të mbetet e bllokuar për shkak të mosplotësimit me anëtarë. Me këtë draft, synohet të kapen me shpejtësi këto poste, duke mënjanuar ”Check&balance” që imponon Kushtetuta.

“Nëse presidenti nuk i thërret brenda 7 ditësh gjyqtarët, ata do të betohen para Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ)”. Me këtë parashikim në projektligj, mazhoranca ka legjitimuar emërimin e Arta Vorpsit, e cila u zgjodh anëtare e Gjykatës Kushtetuese automatikisht nga KED, por nuk u thirr për betim nga presidenti Meta.

Shpërndarja e parlamentit

Në draft ndihet frika e mazhorancës nga ndonjë shpërndarje e parlamentit nga Presidenti Meta. Konkretisht, drafti “Për Presidentin e Republikës” i ngushton kompetencën për të shpërndarë parlamentin, vetëm kur ky nuk arrin të zgjedhë kryeministrin, ose vetëm kur këtë e propozon kryeministri i zgjedhur. Ligji nuk zgjidh rastin aktual, kur Kuvendi nuk ka numrin e plotë të deputetëve sipas Kushtetutës.

“Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin, sipas rastit, brenda 10 ditëve nga data e votimit pa sukses në Kuvend për zgjedhjen e Kryeministrit, apo nga kalimi i afatit 10 ditor për zgjedhjen e Kryeministrit nga Kuvendi, ose brenda 10 ditëve nga data që merr kërkesën e Kryeministrit për shpërndarjen e Kuvendit”,  shkruhet në këtë draft.

Betimi

Po ashtu, në mungesë të dekretit, kompetencën e emërimit e merr Kuvendi. “Pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim. Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat e bëjnë betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim”, sipas draftit.

“Në rast se ceremonia e betimit nuk organizohet nga Presidenti i Republikës deri në përfundim të afatit, atëherë betimi kryhet përpara Kuvendit, për të gjithë funksionarët apo gjyqtarët që zgjidhen apo miratohen prej tij, kurse për të tjerët përpara organit propozues”, theksohet në këtë draft.

Gjykata Administrative

Deri më sot aktet e Presidentit gjykoheshin vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Me këtë ligj, refuzimi apo rrëzimi i propozimeve mund të kundërshtohet nga organet e tjera shtetërore apo personat e interesuar në rrugë ligjore në Gjykatën Administrative.

Dekoratat

Kulmi i këtij drafti arrin kur propozon që edhe dekoratat dhe titujt, presidenti mund t’i japë vetëm me propozim të organeve të tjera. Madje, “Dekreti kundërfirmohet nga organi propozues”.

Reagimi

Presidenti Meta deklaroi se “Kam zero interes për çdo draft dhe përpjekje puçiste”.

“Ju e dini, vazhdoi Presidenti Meta,- që ky është një Parlament jo kushtetues, është një Parlament që kudo ku dal, qytetarët më kërkojnë shpërndarjen e tij të menjëhershëm. Është një Parlament puçistësh dhe fat të keq një pjesë e mirë e tyre janë tradhtarë dhe mercenarë. Kështu që për mua ka vetëm një interes tani,  është 25 prilli, është populli i Shqipërisë. Unë kam nisur marshimin tim si President i Shqipërisë, drejt referendumit të 25 prillit”. /TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne