Drejtoresha e Tatimeve Ibrahimaj: Risitë që sjell fiskalizimi për bizneset, portali Self-Care dhe a duhen ndryshuar kasat

Administrata Tatimore ka vënë në dispozicion të bizneseve të gjitha informacionet dhe infrastrukturën e domosdoshme për nisjen e zbatimit të fiskalizimit nga 1 janari 2021.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, në një intervistë për “Monitor”, garantoi mirëfunksionimin e të gjithë procesit, nga dhënia e informacioneve për sipërmarrjen, asistenca teknike e administratës e deri te funksionimi i portalit Self-Care që mund të përdoret pa pagesë, sidomos nga biznesi i vogël.

Znj. Ibrahimaj e cilësoi procesin si reformën më të madhe për miradministrimin fiskal që po zbaton aktualisht qeveria dhe pritshmëritë për reduktimin e informalitetit në periudhë afatmesme janë deri në 15%. Për kostot e kalimit në një sistem të ri, Ibrahimaj nënvizoi se çmimi i shërbimit që do të ofrohet nga 15 kompani të certifikuara deri tani, do të jetë në varësi të kërkesës së tatimpaguesit, për rastet kur zgjidhet programi bazik software apo kur kërkohen elemente shtesë, si kontabilizimi, magazinimi dhe menaxhimi.

Çfarë synon administrata tatimore me realizimin e procesit të fiskalizimit?

Reforma e fiskalizimit është një proces në kuadër të modernizimit jo vetëm të Administratës Tatimore (AT), por të të gjithë procesit që ka qeveria në tërësi. Fiskalizimi, konkretisht, do të prekë të gjithë subjektet për mënyrën se si faturojnë, pra fatura nuk do të jetë më me TVSH-në e lëshuar në dorë, por do të jetë një faturë elektronike.

Nuk do të ketë më diferencë ndërmjet kuponit dhe faturës, por të gjitha faturat do të jenë elektronike, si transaksionet me para në dorë, ashtu edhe ato pa para në dorë, për të gjitha këto transaksione do të lëshohet faturë elektronike.

Kjo sigurisht sjell modernizim për mënyrën se si tatimpaguesit komunikojnë me AT, i shërben përmirësimit të procedurave për sa i përket administratës. Synohet ulja e informalitetit dhe si pasojë të rriten të ardhurat në buxhetin e shtetit. Përveç përmirësimit të procedurave dhe eficiencës së AT, përmirësimi do të jetë edhe për pjesën e subjekteve.

Nëse më parë, një subjekt ishte i detyruar të plotësonte blloqet tatimore, të hidhte manualisht apo nëpërmjet sistemeve, librat e shitjeve apo të blerjes në programin e taksave, tashmë ai këto të dhëna mund t’i dërgojë direkt pranë AT. Do të ulet koha që bizneset harxhojnë për të përmbushur detyrimet ndaj Tatimeve.

Ka disa komponentë që e bëjnë këtë reformë që të ketë përfitime për të gjithë pjesëmarrësit e procesit. Është e kuptueshme që çdo reformë e re ka edhe barrierat e veta. Sigurisht, një biznes që është mësuar të operojë me kasë, këtu kam parasysh biznesin e vogël në tërësi, pasi jam e bindur që biznesi i madh do ta mirëpresë ndryshimin, ngurron për këtë proces.

Megjithatë janë marrë masat, ku pjesa më e madhe e biznesit të vogël, që kanë një numër të ulët faturash, që plotëson disa kritere, do të mund të përdorin falas portalin e lëshimit të faturave, Self-Care. Pra ekziston mundësia që për këtë kategori subjektesh, fiskalizimi të mos shoqërohet me kostot e ndryshimit të procesit, duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e bizneseve mund të përdorin portalin për të mos pasur kosto shtesë.

Patjetër që një pjesë e madhe e bizneseve do të vazhdojnë të përdorin edhe kasat aktuale, pasi kompanitë që tregtojnë këto pajisje, po kujdesen që të krijojnë një server të ndërmjetëm i cili do të lejojë fiskalizimin e faturave nëpërmjet përshtatjes së tyre. Mund të them se tashmë kemi kaluar nga një sistem faturimi i bazuar në pajisje fiskale, që mund të bliheshin vetëm në 4 kompani, në procesin e një tregu të hapur, i cili ofron çmime të ndryshme për produkte të ndryshme dhe ka shumëllojshmëri zgjedhjesh.

Nga 1 Janari fillon fiskalizimi i subjekteve që kryejnë transaksione me entet publike. Ne kemi publikuar edhe listën e Enteve Publike, që bizneset të jenë të qartë që, nëse faturojnë ndërmjet këtyre kompanive, do të duhet të lëshojnë fatura elektronike.

Për këtë kemi menduar një periudhë tranzitore, ku të gjithë ata tatimpagues që nga 1 janari janë të detyruar të lëshojnë fatura elektronike mund të përdorin portalin. Kjo me qëllim që biznesi jo vetëm të mësohet me procesin e fiskalizimit, por edhe në vijimësi të zgjedhë produktin që do t’i leverdisë. Janë marrë të gjitha masat që ndryshimi të zbatohet gradualisht dhe tatimpaguesit të mësohen me të, pa ju vendosur një afat të afërt apo detyrim për t’u fiskalizuar menjëherë.

Ne kemi zhvilluar një sërë trajnimesh dhe kemi kontaktuar të gjithë tatimpaguesit që kanë lëshuar fatura elektronike për vitin 2020, me synimin për t’i trajnuar me elementet e fiskalizimit dhe për përdorimin e portalit Self-Care, i cili është një nga alternativat që mund të përdoret. Nga ana tjetër, të gjithë tatimpaguesit, si ata që kryejnë transaksione me para në dorë dhe pa para në dorë, të cilët plotësojnë kriteret e përdorimit të portalit Self-Care mund të fillojnë të lëshojnë fatura të fiskalizuara nëpërmjet tij apo mund të lidhin kontratë me kompanitë e certifikuara (të cilat janë të publikuara në faqen zyrtare të Tatimeve) për ta filluar para afatit të përcaktuar fiskalizimin.

Po ashtu janë vënë në dispozicion të tatimpaguesve informacione për testimin e procedurës me qëllim që të kuptohet sa më mirë prej tyre se çfarë ju nevojitet. Kemi marrë masat që subjekteve t’u përcillet i gjithë informacioni i nevojshëm dhe të mos jenë të frikësuar nga ky proces. Ky është një proces normal modernizimi. Kasat janë një teknologji e vjetërsuar dhe në shumë vende të botës janë jashtë funksionimit.

 

Lehtësimi për bizneset

Përveç përmirësimit të procedurave dhe eficiencës së AT, përmirësimi do të jetë edhe për pjesën e subjekteve. Nëse më parë, një subjekt ishte i detyruar të plotësonte blloqet tatimore, të hidhte manualisht apo nëpërmjet sistemeve, librat e shitjeve apo të blerjes në programin e taksave, tashmë ai këto të dhëna mund t’i dërgojë direkt pranë AT. Do të ulet koha që bizneset harxhojnë për të përmbushur detyrimet ndaj Tatimeve.

 

Si do të funksionojë portali Self-Care, nëse një biznes e përdor nuk është e nevojshme të lidhë kontratë software me privatin?

Të gjitha subjektet që përmbushin kriteret e specifikuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, ato të periudhës tranzitore nga 1 korriku deri më 1 shtator mund të nisin që tani të përdorin portalin Self -Care, përveç atyre që kanë detyrimin të fiskalizohen më 1 janar. Në faqen e Tatimeve është publikuar edhe një video-udhëzuese me të gjitha procedurat që duhet të ndiqen për procesin.

Para nisjes së tij, të gjitha subjektet duhet të pajisen me certifikatën elektronike të cilën e lëshon AKSHI me një kosto vjetore prej 4,000 lekësh pa TVSH dhe të jenë të regjistruara në portalin Self-Care. Kjo certifikatë u nevojitet tatimpaguesve për të kryer të gjitha llojet e shërbimeve që ofron e-Albania. Në këtë moment po përforcohet ky detyrim i tatimpaguesve dhe shpeshherë lidhet me kostot e fiskalizimit, por në tërësi është kosto e modernizmit, jo vetëm e këtij procesi.

 

Cilat do të jenë kostot që do të paguajnë bizneset për fiskalizimin?

Sa herë që pyetem për kostot e procesit, nuk mund të konsiderosh një kosto të tij, pasi si çdo shërbim që ofrohet nga disa kompani të certifikuara dhe në varësi të kërkesës së tatimpaguesit do të ketë një çmim për shërbimin. Do të ketë tatimpagues që fiskalizimin do ta përdorin vetëm për faturimin dhe sigurisht për këtë do të një kosto ndryshe nga kur programi përdoret për të gjitha elementet e kontabilizimit, apo kur përdoren programet e menaxhimit të magazinës. Në varësi të elementeve që do të kërkojnë subjektet, do të ketë edhe produktin.

 

A ka të dhëna administrata tatimore se sa prej bizneseve të vogla do të vazhdojnë të punojnë me pajisje fiskale dhe sa prej tyre do të bëjnë zgjedhje software?

Nuk kemi një llogaritje se sa prej bizneseve do të vazhdojnë të punojnë me kasë dhe sa do të kalojnë në software. Ligji i miratuar lejon përdorimin e të gjitha alternativave me qëllim që të mos ketë qasje imponuese ndaj tatimpaguesve, sidomos me biznesin e vogël me të cilin duhet të jemi më të kujdesshëm, pasi mund të ketë vështirësi më të mëdha për të përballuar kosto shtesë.

Duke ofruar shumë qasje nuk kemi një informacion se çfarë do të zgjedhë biznesi. Pra ne jemi kujdesur që biznesi shumë i vogël, të ketë mundësinë të përdorë portalin Self-Care që të mos ketë shpenzime të shoqëruara me këtë proces. Në varësi të kostos, çdo tatimpagues ka të drejtë të zgjedhë të mbajë kasën fiskale, ose të kalojë në zgjedhje software, pasi edhe mirëmbajtja e pajisjes fiskale ka një kosto vjetore fikse. Por tregu do të tregojë nëse kostot e mirëmbajtjes të kasave fiskale do të jenë më të larta apo më të ulëta se ato të programeve software-ike, apo ato të përdorimit të portalit që për një kategori biznesesh do të jetë zero.

 

Si parashikoni t’ju vini në ndihmë bizneseve me qëllim që të mos penalizohen për rastet e ndërprerjes së shërbimit të internetit që është i domosdoshëm të funksionojë për fiskalizimin?

Në ligj është parashikuar e gjithë procedura. Për bizneset që ushtrojnë aktivitetin në hapësira që nuk mbulohen nga shërbimi i internetit mjafton që kompania të marrë një vërtetim nga AKEP, i cili vërteton që këto zona janë të pambuluara me internet dhe do të vazhdojnë të operojnë duke dërguar të dhëna në administratën tatimore.

Për rastet kur ka ndërprerje të shërbimit të internetit, të gjitha programet software ofrojnë ruajtjen e faturave (faturat do të vazhdojnë të lëshohen, edhe pse nuk janë të fiskalizuara) dhe në momentin e rilidhjes së internetit do të dërgohen me program në serverin e Administratës Tatimore, të cilat do të fiskalizohen automatikisht.

Në rast se shkëputja e internetit zgjat më shumë se 48 orë, jo për arsye të tatimpaguesit, por të ofruesit të shërbimit, atëherë parashikohet një tjetër procedurë. Tatimpaguesi duhet të njoftojë AT dhe të këtë një vërtetim që ndërprerja nuk është për faj të tij dhe faturat elektronike duhet të dorëzohen me memorie të lëvizshme.

 

Ju u shprehët se prioritet i këtij procesi është formalizimi i mëtejshëm i bizneseve, a keni ndonjë parashikim se sa do të rriten të ardhurat nga TVSH në pikë përqindje të PBB-së?

Ne kemi bërë disa parashikime që bazohen në përvojat e vendeve të tjera të cilat kanë zbatuar fiskalizimin dhe pritet që për një periudhë afatmesme informaliteti të ulet 15%. Për sa u përket të ardhurave nuk mund të kemi një shifër, por në parashikimet e Ministrisë së Financave para hartimit të projektbuxhetit afatmesëm, rritja e të ardhurave tatimore është ngushtësisht e lidhur me procesin e fiskalizimit. Aktualisht kjo është reforma më e madhe për miradministrimin fiskal që po kryhet dhe të gjitha parashikimet në rritje të realizimit të të ardhurave bazohen në pritshmëritë e procesit të fiskalizimit.

 

Po ato subjekte që lëshojnë fatura me një ent publik, por kanë edhe klientë në privat, do të kenë dy libra shitjesh?

Deri më 1 shtator, ne do të vazhdojmë të punojmë me sistemin e vjetër, duke qenë se ka tatimpagues të cilët nuk e kanë detyrimin ligjor që të fiskalizohen para kësaj date. Duke e parashikuar se do të lindë kjo problematikë është vendosur një periudhë tranzitore zbatimi që të mos investonin dhe të blinin software, por të përdorin platformën tonë pa pagesë.

Pra bizneset që punojnë me entet publike, por kanë edhe klientë privatë, mund të përdorin platformën tonë pa pagesë dhe për pjesën tjetër të vazhdojnë të bëjnë procedurat e faturimit siç kanë vazhduar deri tani. Deri më 1 shtator do të vazhdohet të raportohet deri në përfshirjen në proces të të gjithë subjekteve, me qëllim që të mos ketë dublime, por edhe ndikim te të ardhurat./Monitor/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne